Kultura e tekstit të shkruar dhe debati si Pazar te «këmba e urës në Rrogozhinë»

Nga Ilir Yzeiri

Besoj të gjithëve ju ka bërë përshtypje që, në disa debate, ku i ftuar është edhe gazetari shqiptar me origjinë italiane, Karlo Bolino, debatuesit rrinë si të mpirë ose gjenden pak gafil, kur Bolino nxjerr copëra letrash dhe citon dokumente. Qoftë në rastin e dosjes së famshme 393, qoftë në debatin e fundit për qëndrimin e deputetes holandeze për vizat, Bolino citonte dosjen e prokurorisë në rastin e parë dhe deklaratën e një ish zyrtari europian në rastin e dytë, duke argumentuar se përmbajtja e këtyre teksteve është krejtësisht e ndryshme nga shumica e opinioneve apo perceptimeve që janë krijuar. Në rastin e dytë, më bëri përshtypje se Bolino duke iu referuar deklaratës së ish- ambasadorit OSBE-së, Robert Bosch, tha se, sipas tij, vetëm 02% e kriminalitetit në Holandë u referohet shqiptarëve. Në këtë rast, ka pak rëndësi opinioni që mund të ketë dikush për zotërinë e nderuar Bosch. E rëndësishme, në këtë rast, është shifra zyrtare 0.2%. Dhe pikërisht këtë theksonte Bolino, duke këmbëngulur në debat që vota e deputetes holandeze dhe grupit të saj nuk reflekton gjendjen reale të sendeve. Të gjithë të pranishmit në atë debat, me ndonjë përjashtim, jo vetëm që nuk u morën me të dhënat, por, duke i injoruar ato, nisën përsëri të grinden dhe të shkëmbejnë akuza për mallin që kishin nxjerrë në tregun e llafeve duke sharë e duke hedhur poshtë me të njëjtin zell dhe më të njëjtën zhurmë që njeriu ndien nëse i qëllon të kalojë nga ndonjë Pazar mallrash që zhvillohet në ndonjë këmbë ure apo në ndonjë shesh me pluhur.

Kjo dukuri, pra refuzimi për ta ndërtuar debatin mbi të dhënat, mbi dokumentet apo mbi tekstin e shkruar, po bëhet një sëmundje e pashërueshme për ligjërimin publik shqiptar dhe po na identifikon, gjithnjë e më shumë, me një kulturë që lidhet, më së shumti, me traditën orientale që mbështetet kryesisht të kultura e ligjërimit gojor dhe te thëniet maksimaliste që vijnë nga urtësia e ashtuquajtur popullore që disa herë përzihet edhe me të vërteta të ngjyrosura me tis fetar. Ndryshimi i kulturës së Lindjes me atë të Perëndimit, dallon, veç të tjerash, edhe nga aftësia për të ritreguar jetën me forma të ndryshme veç rrëfimit teologjik. Arti, dokumenti, publicistika, piktura, arkitektura, letërsia janë forma alternative të rrëfimit të jetës përvç formës hyjnore, ashtu siç është dhe filozofia dhe shkenca. Shqiptarët kanë një traditë jo fort të shënuar në rrëfimin e botës. Të ardhur nga një natë e thellë dhe e errët osmane ku dija dhe kuptimi i botës bëhej vetëm përmes dervishëve apo imamëve dhe kadinjve në pjesën më të madhe dhe nga priftërinjtë e vetmuar e të paktë katolikë, arsyetimi dhe debati përmes teksteve alternative ishte një gjë e mangët. Institucioni i kuvendit të burrave dhe i odave në raste të veçanta, ishte i vetmi vend ku merrte frymë debati. Tradita e pakët pluraliste e kohës së mbretërisë u zëvendësua nga sundimi i ideologjisë totalitare dhe nga zëvendësimi i dialogut me monologun. Në këtë rast monologu duhej të citonte vetëm një tekst dhe kjo ishte e kuptueshme në kushtet e diktaturës.

Ajo që ndodhi pas rënies së diktaturës, në lëmë të ligjërimit publik, është një nga problemet më të mëdha që për shumë kohë do të kërkojë vëmendje dhe studim. Vetëm se ajo që vihet re sot është shkatërrimi i të gjitha autoriteteve të së vërtetës. Shqiptarët nuk besojnë më në asgjë dhe te askush. Asnjëherë si sot përçarja dhe shkatërrimi i stofit social nuk ka qenë kaq evident sa tani. Natyrisht, shkatërrimi i miteve të rreme dhe ridimensionimi i së vërtetave është një proces normal, por, shqiptarët nuk kanë më asnjë kriter për të vlerësuar të shkuarën e tyre, asnjë ide se si duhet të jetë e tashmja dhe nuk ju intereson më se çfarë duhet bërë me të ardhmen. Vini re debatet për historinë, për luftën dhe për Skënderbeun ndonjëherë. Në këtë ligjërim nuk ka debat, por ka rrëfim asgjësues mbi njërën ose tjetrën palë. Është shumë vështirë të gjesh ndër shqiptarë heronjtë e mendimit. Shqiptarët gjithmonë nxjerrin në krye të elitave të tyre njerëz që i fshijnë epokat si uji i detit që merr përpara një kështjellë ndërtuar prej fëmijësh. Ne të gjithë duket sikur jetojmë në ajër, në një terren bosh sepse vijmë nga diktatura, të cilën e kemi fshirë, as për Luftën nuk jemi në një mendje, për Mbretin jo e jo. Nëse ngjitemi në Pavarësi çështja ngatërrohet më keq.

Pikërisht kjo rrëmujë në mendim ka nxjerrë në pah trimat e studiove televizive që kanë marrë rolin e të gjithëditurve, sepse, gjithçka para tyre është bërë hi. Ndaj askush nuk citon një dokument, një të dhënë, sepse, të dhënat e «dëmtojnë» mendimin e «guximshëm» prej revolucionari që ka për qëllim jo të ndërtojë një ide por të djegë me acid fjalësh një kundërshtar politik.

Për të kuptuar botën dhe veten shqiptarët nuk kanë nevojë të lexojnë të dhëna, të analizojnë dokumente apo tekste. Ata mjaftohen që të dëgjojnë nga mëngjesi në darkë përleshjet me fjalë dhe luftërat me heronj që vrasin e vriten nëpër studio televizive, që e tregojnë kundërshtarin si një armik në fushën e Torviolllit të cilin do ta shkrijnë me hekur e me zjarr.

Ndaj nëse në ndonjë studio do të shfaqet ndonjë gazetar si Bolino që citon dokumente, më së shumti ai do të quhet i shitur te armiku.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU