Kufiri 3.5% i lëvizjeve paqësore dhe lëvizjet e dhunshme

Nga David Robson

Në vitin 1986, miliona filipinas  dolën në rrugët e Manilës duke protestuar në mënyrë paqësore, në atë që u quajt “Lëvizja e Pushtetit të Popullit”. Në ditën e katërt të protestave paqësore, regjimi i Markosit u rrëzua.

Në vitin 2003, gjeorgjianët rrëzuan Shevardnadzen me revolucionin e tyre “të trëndafilave”, gjatë të cilit protestuesit pushtuan parlamentin me lule në duar.

Para disa javësh, presidentët e Sudanit dhe Algjerisë deklaruan dorëheqjen e tyre, falë protestave paqësore të përditshme.

Në secilin rast, fushata e njerzve të thjeshtë arriti të rrëzojë elitën politike dhe të sjellë ndryshime të rëndësishme.

Ka shumë arsye etike e morale për të zgjedhur strategjinë paqësore për ndryshim. Por rezultat e një studimi shkencor të Erica Chenoweth e universitetit të Harvardit tregojnë se protestat jo të dhunëshme janë jo vetëm një zgjedhje e mirë morale, por edhe shumë më efikase për ndryshimin e gjendjes politike.

Duke analizuar qindra lëvizje (të dhunshme e paqësore), qysh nga viti 1900 e deri në ditët tona, Profesorja Chenoweth arriti në përfundimin se lëvizjet paqësore kanë gjasa dyfish më të mëdha të jenë të suksesshme, krahasuar me ato të dhunshme. Dhe megjithëse dinamikat e çdo lëvizje varen nga shumë faktorë, ajo ka gjetur se pjesëmarrja aktive në lëvizjen paqësore e të paktën 3.5% të popullsisë garanton suksesin e saj (Shënim i përkthyesit: 3.5% e popullsisë banuese në Shqipëri është baraz me 100 mijë.)

Kur filloi studimin e saj mbi këtë temë, Profesorja Chenoweth nuk besonte se lëvizjet paqësore mund të ishin më të fuqishme se ato të dhunshme. Gjatë punës për mbrojtjen e doktoraturës në Universitetin e Kolorados, ajo kishte studiuar për vite faktorët që kontribuonin në lindjen e terrorizmit dhe të lëvizjeve të dhunshme. Por në një konferencë shkencore në Uashington ajo u ngacmua nga disa kumtesa mbi lëvizjet paqësore.

E ndihmuar nga studiuesja Maria Stephan, ajo mblodhi të dhëna dhe studime për qindra lëvizje që kishin synuar ndryshime politike në vende të ndryshme të botës. Nga analiza e saj ajo përjashtoi rastet kur ndryshimet politike kishin ardhur si rezultat i një ndërhyrje ushtarake të huaj. Një lëvizje ajo e konsideroi të dhunshme, në qoftë se ishin përdorur bomba, dëmtime të infrastrukturës, etj,, ose thjesht ku ishin shkaktuar dëme materiale ose lëndime njerzore.

Në përfundim, ajo gjeti se probabiliteti i suksesit të një lëvizje paqësore ishte 53%. Ndërsa probabiliteti i suksesit të një lëvizje të dhunëshme ishte sa gjysma – vetëm 26%.

Kufiri 3.5%, kyçi i suksesit

Siç duket qartë nga probabilitetet e mësipërme, jo të gjitha lëvizjet paqësore janë të suksesshme. Sipas Chenoweth, numri i pjesëmërrsve në lëvizjen paqësore është një faktor kritik për suksesin e saj. Në qoftë se të paktën 3.5% e popullsisë, konkludoi ajo, merr pjesë aktive në lëvizjen paqësore, suksesi është i pashmangshëm. Studimi i saj tregon se asnjë lëvizje paqësore nuk ka dështuar, kur e ka arritur këtë kufi.

(Marrë me shkurtime nga faqja zyrtare e BBC)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU