Shpend Ahmeti në Interaktiv të KTV-së ka shprehur bindjen se koalicioni PAN nuk i ka numrat e nevojshëm për të formuar Qeverinë, ashtu siç ata po proklamojnë. Sipas tij po t’i kishin numrat do ta thërrisnin seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila do të hapte rrugë për formimin e Qeverisë. “Nëse i ka numrat pse nuk po e thërret mbledhjen konstituive”, ka thënë Ahmeti, ndërsa ka shtuar se Qeverinë PAN-i do të mund ta krijonte vetëm nëse kontrabandon deputetë.
“PAN-i nuk mund ta formojë Qeverinë përveç nëse kontrabandon votat”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se deklaratat e PAN-it se i kanë numrat janë lojëra për të shkaktuar konfuzion.
“Përmendin disa emra, për t’u bërë presion”, ka thënë ai. “Askush nuk po e do një Qeveri që i ka në tërësi 61 deri në 63 deputetë dhe në mesin e tyre 9 deputetë të Listës Serbe, e cila me Aleksandar Vuçiqin do të mbante peng e do të diktonte politikën në vend”, ka thënë Ahmeti.
Ahmeti ka thënë se nëse dështon PAN-i, ekziston mundësia që Qeverinë ta krijojnë vetëm Vetëvendosje e LAA-ja, përfshirë aty edhe 10 deputetë të pakicave jo serbe.
“Kështu do të bënim 71 deputetë, pa përjashtuar edhe partitë e tjera shqiptare të cilat i ftojmë që të shkëputen nga PDK-ja”, ka thënë Ahmeti. Ai ka thënë se në demokraci presidenti nuk ka gjasë që të mos ia japë mandatin për herën e dytë atyre që garantojnë se e kanë shumicën, përgatiti Koha. (b.an)