Me vendosjen e taksës doganore në produktet e naftës, Kosova bën shkeljen e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, shkruan Koha Ditore. Aktualisht Kosova aplikon taksë doganore në tri produkte të naftës – kerozinë, gazin natyral dhe në vajrat e rënda për ngrohje (mazut).
Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka hapur rast për veprimet e Kosovës. Në njoftimin e publikuar në ueb-faqen e SKE-së thuhet se Kosovës i është dërguar “letra e hapjes”, me të cilën është njoftuar me veprimet që bien ndesh me Traktatin.
Më pas, thuhet se Qeveria e Kosovës ka dërguar një shkresë më të cilën arsyeton veprimet e saja dhe ia konfirmon SKE-së se e aplikon taksën doganore në disa produkte të naftës. Sekretariati i Komunitetit të Energjisë këmbëngul që Qeveria e Kosovës duhet të heqë të gjitha taksat doganore për produktet e naftës.