Konsulli letonez: Ngjarje tragjike, Letonia ndodhet pranë jush

Konsulli i Nderit të Letonisë në Shqipëri Sokol Kraja ka shpërndarë para pak minutash një deklaratë për mediat, në lidhje me aksidentin tragjik të ndodhur të hënën në Letoni në kuadër të një misioni të NATO-s, ku humbi jetën ushtarakja shqiptare Zarife Hasanaj dhe u plagosën dy kolegë të saj gjithashtu shqiptarë. Ja teksti i deklaratës së Konsullatës së Nderit të Letonisë në Tiranë:

Në emër të Konsullatës së Nderit të Letonisë në Shqipëri, Konsulli i Nderit z.Sokol  Kraja shpreh hidherimin e thellë për humbjen e jetës së nëntare Zafire Hasanaj dhe plagosjen e komandantit të kontigjentit, Major Klodian Tanushit dhe rreshter Julian Kapajt, në misionin ushtarak “Enhanced Forward Presence”, që NATO po zhvillonte në Letoni.

Kjo humbje hidheron të gjithë pjesëmarrësit në këtë mision, por dhe popullin letonez, i cili vlereson lart kontributin e jashtëzakonshem të Shqipërisë dhe shqiptarëve në kuadër të Aleancës, por edhe për paqen e sigurinë kudo në botë.

Ne mbështesim fuqimisht rolin dhe kontributin që forcat ushtarake të Republikës së Shqipërisë kane dhënë dhe japin në kuadër të Misioneve të NATO-s.

Në këto orë të vështira, i shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta dhe i ndodhemi pranë familjarëve të Zarife Hasanajt dhe ushtarakëve të tjerë që u plagosën në këtë incident tragjik.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU