Tetovari Idriz Sulejmani është kandidati i vetëm shqiptar për deputet në Parlamentin e Kroacisë. Ai ka nisur fushatën në kërkim të votave të shqiptarëve të Maqedonisë që jetojnë përkohësisht në Kroaci, ndërsa të shtunën ka qëndruar edhe në vendlindje, në kërkim të sa më shumë votave të bashkatdhetarëve të tij, njofton korrespodenti i “Koha Ditore” nga Shkupi.
Sulejmani provon për herë të dytë zgjedhjen si përfaqësues i pakicave në Kuvendin kroat, ndërsa thotë se përkushtimi i tij është një jetë më e mirë për shqiptarët që jetojnë atje dhe të cilët çdo ditë përballen me pengesa të shumta në realizimin e të drejtave të tyre.
“Arsyeja që u kandidova është çështja historike e shqiptarëve, sepse mendoj dhe besoj që jam kandidat potencial i cili mund kësaj radhe të fitojë dhe për herë të parë ta shkruajmë historinë që një deputet shqiptar të ulet në Parlamentin kroat dhe të mbrojë interesat e pakicës kombëtare në Republikën e Kroacisë.
Kësaj radhe kënaqësia më e madhe është dhe mburrem me atë që jam i vetmi kandidat shqiptar që garoj dhe vij nga rrënjët apo vet bashkësitë e të gjithë shqiptarëve që ekzistojnë në republikën e Kroacisë”, deklaroi Sulejmani gjatë një konference për shtyp të mbajtur në Tetovë, raporton Koha.net.
Zgjedhjet e përgjithshme në Kroaci do të mbahen në 8 nëntor të këtij viti. Idriz Sulejmani vjen nga fshati Zherovjan i komunës së Bogovinës, ndërsa si aktivist i çështjes kombëtare shqiptare njihet që nga vitet e 80-ta. Ai ka lindur në vitin 1956 në Poreç të Kroacisë ku edhe vazhdoi jetën dhe karrierën e tij si biznesmen i suksesshëm.