Një nga qasjet e tij në teatër është ta nxjerrë atë jashtë ndërtesës, në një hapësirë publike që i përgjigjet kërkesave të veprës. Këtë do të bëj edhe me Jul Cezarin regjisori kroat Ivica Buljan. Skena për të vënë tragjedinë e William Shakespeare, një dramatizim i ngjarjeve të vërteta, do të jetë territori mes dy teatrove, atij kombëtar dhe eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
“Qëllimi nuk është thjesht të krijohet një marrëdhënie me spektatorin, por edhe me vendin ku zhvillohet vepra. Skena e parë do të jetë te pishina që e ka humbur funksionin e saj dhe shfrytëzohet si skenë. Spektatori do të hyjë në brendësi dhe do të vëzhgoj nga brenda fatin e kësaj strukture. Skena e dytë, poshtë këtyre pemëve, në parkun e ëndrrave të Calpurinës. Jul Çezarin do ta vrasim në sheshin para Ministrisë së Brendshme, një vend që përfaqëson fuqinë politike në vend. Dy aktet e fundit në hapësirën ku protestohet çdo ditë. Do të jetë një mbyllje që përkon me të sotmen, një lloj deklarate me kërcim dhe poezi.
Të luash Jul Çezarin jashtë godinës së teatrit është në vetvete një qëndrim ndaj situatës politike në Shqipëri dhe marrëdhënies së politikës me artin thotë Ivica Buljan, që në shfaqjen e tij përfshin edhe publikun.
“Publiku do të jetë në një aktivitet të vazhdueshëm fizik dhe mendor. Ai do të lëvizë nga skena në skenë, të cilat nuk janë teatrore por natyrale”.
Jul Çezari i Ivica Buljan, regjisorit të vlerësuar si nder më të mirët e skenës teatrore ndërkombëtare , do të vritet vetëm një herë në Tiranë, në mbrëmjen e 13 Korrikut.