“Ju ‘nacionalistë’ mos i akuzoni shqiptarët në Maqedoni por mësoni prej tyre”

Nga Mentor Kikia

Kam lexuar dy ditët e fundit shumë qëndrime kritike(fyerje e sharje më saktë), nga qytetarë të thjeshtë apo edhe persona të angazhuar politikisht, ndaj shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni. Bëhet fjalë për zgjedhjet presidenciale, ku kandidati shqiptar mori 10 % të votave.

Padyshim, matematika të çon në përfundimin se jo të gjithë zgjedhësit shqiptarë kanë votuar për kandidatin shqiptar.

Parë me zyzet e nacionalistëve(ekstremistëve do të thoja), çdo shqiptar duhet ta çojë votën doemos tek kandidati shqiptar.

Ndryshe ata janë tradhëtarë!

Nuk jam fare dakord me këtë logjikë. Përkundrazi! Prirem ta shikoj sjelljen e shqiptarëve atje si më europianen dhe demokratiken në Ballkanin e parcelizuar sipas nacionaliteteve.

Maqedonia është një shtet multietnik dhe popujt që e përbëjnë atë shtet janë duke u bërë një shembull i mirë i bashkëjetesës.

Dhe shqiptarët kanë dhënë kontributin më të madh për këtë, duke dhënë edhe një leksion për rajonin. Shqiptarët ditën të kapërcejnë urrejtjet nacionale, ditën tu imponohen, ku me luftë e ku me durim, ekstremnistëve të sëmurë maqedonas, në qeveri, parlament dhe në rrugë.

Falë kësaj sjëlljeje, sot në Maqedoni gjuha shqipe është zyrtare dhe kreu i parlamentit është shqiptar. Në një shtet multietnik, gjëja më e gabuar është ndarja e votës rigorizisht sipas kombësisë.

Tekefundit, sado të bashkohej vota shqiptare, nuk do të prodhonte një president shqiptar.

Padyshim që ata janë dhe ndjehen shqiptarë. Por ata jetojnë në një shtet tjetër dhe jeta e tyre varet nga zhvillimi dhe përparimi i atij shteti. Ndaj dhe vota shkon pikërisht tek alternativa më e mirë në shërbim të këtij zhvillimi.

Ndaj këshillat që u shkojnë nga Tirana bashkëkombasve tanë atje, janë të këqija dhe të dëmshme.

Të votosh dikë vetëm sepse i përket nacionalitetit tënd, është njësoj si vota jonë e verbër, ku militantët e partive votojnë këdo që u vë partia përpara, duke e mbushur parlamentin me një tufë injorantësh.

Ndaj dhe kandidati shqiptar, në mënyrë shumë qytetare e demokratike, refuzoi ftesat e dy ish rivalëve të tij, për të orientuar votën e shqiptarëve në favor të tyre në raundiun e dytë: Shqiptarët janë njerëz të lirë dhe janë të lirë ta japin votën atyre aty ku mendojnë se është më e drejtë.

Juve që iu digjet barku për shqiptarizmë, mësoni nga kjo shjellje e shqiptarëve në Maqedoni, e mos i mallkoni si tradhëtarë.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU