Danezët kërkojnë të fusin “shkopinj ndër rrota”, duke i hedhur “benzinë zjarrit” para ndeshjes ShqipëriSerbi.
Portali danez “ekstrabladet.dk” shkruan se në ndeshjen e 8 tetorit në “Elbasan Arena” do të ketë një “dron” të ri.
Media në fjalë u referohet aty shqiptare dhe serbe, por ka një devijim, duke bërë tifo për Serbinë për të ndalur me çdo kusht Shqipërinë. Deri diku e natyrshme kjo, pasi fatet
e kombëtares së tyre në “Euro 2016” varet jo pak edhe nga gabimi i ekipit përfaqësues shqiptar.
Por media daneze “ekstrabladet.dk” nuk e kërkon këtë ndalesë të Shqipërisë nga ana sportive, por nëpërmjet një droni apo diçkaje tjetër, duke përmendur hakmarrjen e Serbisë për ngjarjet e 14 tetorit të vitit të kaluar shkruan telesport.
Pak e turpshme kjo nga danezët, e nxitur deri diku edhe nga trajneri Olsen, i cili duke qenë në buzë të “greminës”, përdor edhe mediat e vendit të tij, ose po i keqpërdor ata.
Për ironi të fatit, ishin vetë danezët që para një viti shanin serbët, duke i klasifikuar në “barbarë” dhe “qanin” hallin e
kombëtares së tyre se si do të luanin në Beograd në atë stadium “ferri”, duke kërkuar madje edhe fushë asnjanëse.
Danezët parashikojnë “luftë” të re mes Shqipërisë dhe Serbisë dhe duket se sikur luten që kjo të ndodhë, në ndeshjen e së enjtes që luhet në “Elbasan Arena”. Pikërisht një nga vendet më të civilizuara të Europës kërkon të kualifikohet jo nga meritat e veta, por nga “lufta” në Ballkan.
“Ekstrabladet.dk” shkruan se ky takim është shumë me rëndësi për Danimarkën, dhe bazuar në ndeshjen e vitit të kaluar, Ivanoviçi me shokë do të bëjnë çmos që t’u prishin punë shqiptarëve për kualifikim në “Euro 2016”.
Danimarka, para se të mbajë mendjen te Shqipëria, të fitojë ndeshjen e vet me Portugalinë në Lisbonë, pastaj të bëjë llogari.