Jo, Majlinda nuk është fajtore

Nga Jakup Krasniqi/

Po lexoj e dëgjoj, se Majlindë Kelmendi “na qenka fajtore” pse e ngriti në Lojërat Olimpike në Brazil, flamurin e Republikës së Kosovës e jo flamurin e kombit, flamurin kuq e zi, që çdo shqiptar e ka për zemër, se paku me fjalë?!

A mos është fajtore Majlinda pse Statuti i Parë i Shqipërisë (1913), shtetit shqiptar të kohës ia ndalonte përpjekjet për çlirimin e tokave shqiptare që Konferenca e Londrës ia kishte lënë jashtë atyre kufijve? Madje, “mbreti” edhe ia fali Shën Naumin e Vermoshin Mbretërisë Jugosllave. Ketë rrugë, rrugën e faljes se territorit po e ndjekin edhe qeveritarët e sotëm të Kosovës.

A është fajtore Majlinda pse Deklarata e Grupit të Kontaktit (2006), ia ndalonte Kosovës bashkimin me ndonjë shtet tjetër (kuptohet aludimi bëhej kryesisht në shtetin shqiptar)? Dhe që pranuar nga Grupi i Unitetit i cili përfaqësonte gjithë politikën e Kosovës?!

Pse, ne shqiptarët bëhemi hipokritë, sa problemet mos t’i kërkojmë aty ku janë, por aty ku nuk ka asnjë përgjegjësi ose aty ku është më lehtë?! Majlinda është sportiste, që na përfaqësoi me dinjitet në Lojërat Olimpike në Brazil.

Pse nuk themi: Përgjegjësinë për pozitën e kombit shqiptar sot e kanë, partitë më të mëdha politike (në Shqipëri e në Kosovë), partitë që po qeverisin më vendin, sidomos pas qershorit të vitit 1999?

Pse nuk themi që përgjegjësit i kanë qeveritë në Tiranës e në Kosovës, të cilat edhe ashtu po qeverisin keq, madje tepër keq, sidomos qeveria e Kosovës. Kush na ka faj që nuk po e ndërtojmë dot shtetin e së drejtës as në Shqipëri e as në Kosovë? Dhe po i lamë të tjerët të na “ngrehin për hunde”?

Pse nuk themi që Akademitë tona, në Shqipëri e në Kosovë, nuk janë duke u rreshtuar në mbrojtje të kombit e as të tërësisë së atdheut? Akademitë tona për çdo gjë kanë zgjedhur heshtjen?! Kush na ka faj, që trurin e kombit e kemi lënë të plakur?! A nuk e pamë përfaqësimin e mjerë të ASHAK-ut në Debatin për Demarkacionin?! Dhe të gjithë heshtëm!

Pse nuk themi që Institutet e ndryshme shkencore në Shqipëri e në Kosovë, që paguhen për mbrojtjen e kulturës e të traditës sonë kombëtare, janë bërë përçuese të politikave afatshkurtra të ditës? Ato me heshtje po miratojnë gjithçka! Ku na mbeti guximi intelektual? Mos, intelektualëve guximin ua rrëmbej teknologjia e “mençur” e telefonatave?

Pse nuk themi, që opinionistë të ndryshëm e ndonjë analist, kërkojnë ndihmë nga kjo e ajo ambasadë, për t’na i zgjidhur problemet dhe nuk ju drejtohemi përfaqësuesve të kombit, atyre që e kanë marrë përgjegjësinë për t’i bërë të qarta orientimet politike e zhvillimore të vendit.

Majlindën duhet Uruar e falënderuar për përfaqësimin dinjitoz, se paku, të një pjese të kombit shqiptar! Të gjithë duhet ta vlerësojmë suksesin e secilit sportist shqiptar, qoftë ai nga Shqipëria apo Kosova.

Të përfundojmë: Sportistet nuk e kanë për obligim luftën politike, por luftën sportive për përfaqësim dinjitoz, të vendit e të kombit si edhe luftën për medalje, e arta është më e dëshirueshmja për sportistin a sportisten dhe ketë e bëri Majlinda! Këtu vetëm urimi e përgëzimi ka kuptim!

Urime Majlindë!

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU