“Ne nuk po luftojmë për të bërë drejtësi politike, që qeveria të bëjë drejtësi, por që të ketë një sistem drejtësie që askush të mos i shmanget dot dhe ku çdo politikan të jetë para gjykatësve i barabartë, si çdo qytetar i këtij vendi”, – deklaroi sot nga Kuçova, Kryeministri Edi Rama.
Për ne, tha Rama, “është shumë e qartë vija që ndan politikën nga drejtësia”. “Askush nuk është mbi drejtësinë, gjithkush kur ka një çështje për të zgjidhur me drejtësinë nuk e ka mbrojtjen tonë dhe nuk na ka ne avokat”, – tha Rama.
Kryeministri tha se “ata merren me ca përgjime të neveritshme, që duhet të ishin hetuar dhe duhet të hetohen deri në fund”.
“Kushdo që provohet që ka faj, duhet të dënohet. Por nga ana tjetër, ata bëjnë gjyqe popullore, gjyqe publike e politike për dyshime, ndërkohë që vetë kryetari i PD-së ka qenë i akuzuar jo me përgjime, pro me 270 faqe akuzë nga prokuroria për një vepër korrupsioni monumentale dhe sot është nën hetim nga drejtësia në Shqipëri dhe në SHBA për afro 1 milion dollarë financim, që nuk dihet as nga erdhën, as si dolën, as si shkuan, apo kujt i shërbyen”, – tha Rama.
Kryeministri tha se “ne kemi problem me korrupsionin, me krimin e shumë plagë të tjera, por siç e kemi luftuar ne krimin e korrupsionin ata as nuk e kanë çuar në mend”.