Januzaj ndjehet i poshtëruar nga Unitedi

Mesfushori me prejardhje nga Kosova, Adnan Januzaj, pritet të kompletojë transferimin e tij te Sunderlandi në formë huazimi nga Manchester Unitedi, por 21-vjeçari ka preferuar të shkëput të gjitha lidhjet me klubin nga Old Traffordi.

Daily Mail raporton se Januzaj po ndjehet i poshtëruar me trajtimin që ia ka bërë Unitedi gjatë kësaj vere. Januzaj ka stërvitur me rezervat që prej ditës kur në një takim sy më sy me Jose Mourinhon, i ishte thënë se nuk do të jetë pjesë e ekipit prej 26 lojtarëve për sezonin e ri.

Anësori raportohet se ka refuzuar të stërvitet me ekipin e të rinjve ndërsa në një rast, siç raporton Daily Mail, ai është detyruar të zhvishet në tualet.

Januzaj është i pikëlluar që nuk i është dhënë një rast që ta tregojë veten nga Mourinho, pasi kishte angazhuar një trajner fituesi që të jetë në formë për sezonin e ri, transmeton Koha.net.

Ai gjithashtu nuk ishte i kënaqur kur pa konsultimin e tij Unitedi kishte vendosur që numrin 11 t’i japë Anthony Martialit.

Burimet e afërta me Januzajn kanë konfirmuar se ai ndjehet i poshtëruar me mënyrën se si është lënë jashtë planeve të ekipit të parë.

Ai dëshiron transferimin në Spanjë ose Itali, por Unitedi ende beson se 21-vjeçari ka të ardhme në klub dhe dëshiron huazimin e tij te Sunderlandi për të treguar veten dhe për ta kthyer në rrugë të duhur karrierën e tij si futbollist. (b.an)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU