Izraeli me probleme për formacionin, udhëtimi drejt Shqipërisë mbahet sekret

Nir Bitton

Izraeli ka përjashtuar nga skuadra një prej lojtarëve më të mirë, Nir Bitton. 25-vjeçari që luan në Skoci me Celtic u përjashtua pasi nuk pranoi të kryente një ushtrim stërvitor në seancën e së enjtes paradite.

Refuzimi i lojtarit erdhi si reagim pasi dëgjoi se nuk do të ishte titullar në duelin me Shqipërinë dhe sipas mediave izraelite, ai nuk do të thirret më në kombëtare për sa kohë trajner do të jetë Elisha Levi. Ndërkohë, grumbullimin e ka lënë përgjysmë edhe portieri i dytë Ofir Marciano, si pasojë e një dëmtimi të pësuar të mërkurën. Si zëvendësues i tij u thirr “gardiani” i përfaqësueses U-21, Boris Kleiman, por ky i fundit refuzoi. Në këto kushte, vendin e lënë bosh e mbushi Deni Amos që aktivizohet me Petah Tikva.

Për sa i takon udhëtimit, për arsye sigurie, Federata Shqiptare e Futbollit nuk bën të ditur kohën kur përfaqësuesja e Izraelit do të mbërrijë në vendin tonë. Zëdhënësja e FSHF-së, Jona Dervishi, tha sot se nuk është e autorizuar të japë informacione mbi këtë çështje.
Panoramasport/d.i.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU