Ish- kryetar i KQZ: Hajdari, skema si hyn në zgjedhje, mund ta sfidojë PD-në

Deputetja Rudina Hajdari lëshoi dje sinjalin e parë publik se po përgatiten si grup deputetësh të rinj, të cilët kanë hyrë nga listat e PD-së, të krijojnë një subjekt të ri politik. Hajdari, e cila dje u zgjodh kryetare e grupit të pavarur parlamentar të Partisë Demokratike në Kuvend, la të kuptohet se po shkohet drejt një alternative të re politike, por duke mbajtur mandatin e deputetit të PD-së.

“Ne jemi për përfaqësim nga populli.

Ne nuk duam në asnjë mënyrë t’i bojkotojmë zgjedhjet e qershorit. Koha nuk është në favorin tonë. Ftoj gjithashtu që të mos bojkotohen zgjedhjet. Ne nuk mund të luajmë jashtë rregullave të lojës politike dhe duhet të qëndrojmë brenda kushtetutës. Ftoj çdo demokrat që të na përkrahë.

Po përgatitemi dhe do marrim çdo lloj mase të mundshme për të shpalosur një alternativë tonën. Të na përkrahin demokratët që të ndryshojmë sistemin, të hapim rrugën për një garë reale, në këtë parlament, t’i japim fund këtij sistemi që e ka kalbur demokracinë në këtë vend”, tha ajo.

Ky vendim duket se ka gjetur mbështetjen edhe të gardës së vjetër në PD, sikurse ishte reagimi i Astrit Patozit, por edhe faktorit ndërkombëtar si ambasadori i BE-së, Soreca.

Por në një kohë që forcohen zërat për krijimin e një force të re politike, data që përcakton Kodi Zgjedhor për regjistirmin e  subjekteve politike është shumë afër, data 21.

Tirananews.al ka biseduar me ish-kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe një nga ekspertët më të mirë në vend për çështjet zgjedhore Kristaq Kume. Ai nënvizon se nëse deputetët aktualë (sikurse është Rudina Hajdari) krijojnë një parti dhe duan të regjistrohen për të marrë pjesë në zgjedhjet vendore, nuk kanë nevojë për të mbledhur firma.

I pyetur nëse ka ndonjë mundësi që regjistrimi të bëhet në një datë tjetër dhe jo në 21 prill për shkak të afatit në limit, eksperti Kume thekson se një shans tjetër është edhe në maj që përkon me regjistrimin e kandidatëve. Për këtë, ai sjell në vëmendje precedentin në zgjedhjet e shkuara kur situate ishte e njëjtë.

Më poshtë intervista e plotë:

Kume a ka nevojë një parti e re politike e krijuar nga deputetë aktualë që të mbledhë firmat e qytetarëve për të garuar për zgjedhjet vendore që kemi përpara?

Në rast se një parti ka në përbërjen e saj, në anëtarësinë e saj deputetë, (i cili  e ka marrë mandatin kur ka qenë kandidat i një partie tjetër, por që më vonë ka ndryshuar parti dhe partia e re ku ai ka vajtur do të futet në zgjedhjet vendore), nuk e ka të domosdoshme, pra mund të regjistrohet direkt. E plotëson kushtin pa marrë mbështetjen e 3 mijë shtetasve me të drejtë vote. Dhe ky arsyetim mund të mbështetet edhe në frymën e nenit përkatës në të cilën thuhet që nëqoftëse  janë disa parti pjesëmarrëse në një koalicion, mjafton që njëra prej tyre të ketë deputetë, ose të ketë të zgjedhur në njësinë vendore përkatëse, dhe ata mund të  garojnë dhe të çojnë lista kandidatësh, regjistrohen si të tillë, pra parti që regjistrohen si të tilla.

Kështu që po qe se deputetët e sotëm  formojnë një parti të re brenda afatit të parashikuar në Kodin Zgjedhor, që i bie brenda 70 ditëve, data 21 e këtij muaji, e përcaktuar nga Komisioni Qnedor i Zgjedhjeve si afat limit për t’u regjistruar nga partitë politike arrin ta kapin këtë kohë , ata mund të regjistrohen.

Nëqoftëse nuk e kapin këtë kohë, mundet, të përdoret pastaj precedenti i vitit 2017 që regjistrimi i partive të bëhet në momentin kur do regjistorhen kandidatët. Sepse ka një dedline tjetër, që i bie në maj.

Kur është afati që këto parti të regjistrohen në zgjedhje? Sa shanse kanë?

Që të regjistrohen këtyre u duhet që të që të përfundojnë regjistrimin e partisë  që kërkon domosdoshmërisht një vendim gjyqësor. Dhe në qoftëse pastaj duhet që të garojnë në zgjedhje, duhet ta bëjnë para datës 21 që është afati maksimal i parashikuar për regjistrimin e partive politike. Por edhe nëqoftëse nuk arrihet një gjë e tillë, mundet që referuar edhe precedentit të mëparshëm të zgjedhjeve të kaluara, regjistrimi i partive të bëhet në të njëjtën kohë kur regjistrohen kandidatët. Komisioni Qendror i Zgjehdjeve mund të përdorë precedentin. / tirananews.al

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU