Inva Mula: Nëna ime ruse jetoi si shqiptare, sakrifikoi për babanë

Inva Mula e quan një takim shpirtëror përmes muzikës koncertin e së enjtes kushtuar nënës së saj artistes së njohur Nina Mula për 85- vjetorin e lindjes. E takojmë Invën pak orë para koncertit që do të mbahet në katedralen e Shën Palit në Tiranë. Sopranoja e njohur e konsideron një figurë shumë të rëndësishme nënën e saj.

E lindur në Rusi, artistja Nina Mula iku nga vendi i saj për hir të dashurisë së madhe për shqiptarin Avni Mula, tenor i njohur, me të cilin u miqësuan gjatë kohës që ai kreu studimet në konservatorin “Çajkovski” të Moskës rreth viteve ’50.

Ndërsa e bija Inva Mula që falë talentit dhe edukimit të prindërve të saj u ngjit në skenat më të njohura të operës botërore e kujton me nostalgji duke u shprehur se për të ka genë edhe profesoreshë, edhe nënë, edhe artiste, dhe ka ndikuar mjaft në zhvillimin e karrierës së saj.

Artisten ruso-shqiptare Nina Mulën e kujtojnë të gjithë me dashuri. Ajo i kushtoi jetën dhe profesionin Shqipërisë, ndërsa vendlindjen e saj e pa me sy vetëm pas rënies së komunizmit, thotë Inva Mula.

Koncerti përkujtimor për Nina Mulen është i veçantë. Mikesha e saj e skenës Suzana Turku dirigjon korin, ndërsa Genc Tukici dhe ish-studentët e Nina Mulës, si mexosopranoja Irida Dragoti, që ka ardhur enkas nga Roma e tenori Klodian Kacani janë pjesë e këtij koncerti që realizohet në bashkëpunim me Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë.

Është mallëngjyes fakti që tregon Inva Mula se studenti i fundit i cili ka marrë mësime nga Nina Mula ka genë një nga më të talentuarit Klodian Kacani, për të cilin me të drejtë ajo thotë “Klodi është një testament të fundit artistik i Nina Mulës, të cilin e ka drejtuar deri në çastet e fundit te festës.”

Artistja Inva Mula gjate kësaj interviste shpreh jo vetëm mallin dhe nostalgjinë për Nina Mulën si nënë, por edhe për vlerat e virtytet e dashurisë humane që artistja e madhe s’i shteri deri në frymën e fundit.

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU