Intervista/ Kreu i Dhomës së Tregtisë, Jaka: Duhet agjendë konkrete për integrimin rajonal!

Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës Nikolin Jaka evidenton nevojën e përgatitjes së një agjende të detajuar e të mirëstudiuar për integrimin rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndërsa e konsideroi si jashtëzakonisht të rëndësishëm forumin ekonomik të organizuar nga Televizioni SCAN, Jaka tha se duhet një përgatitje konkrete në mënyrë që sipërmarrja dhe qytetarët të bëhen pjesë e këtij projekti, për të mos rrezikuar siç ka ndodhur në të shkuarën. Në intervistën dhënë gazetares së SCAN Violeta Shqalsi në përfundim të sesionit të parë të forumit, Jaka theksoi nevojën e dhënies së përgjigjeve për pikëpyetjet që ka sipërmarrja shqiptare

Si e vlerësoni këtë forum që bashkon jo vetëm politikëbërës nga i gjithë rajoni, krerët e bursave dhe një pjesë të rëndësihsme nga biznesi?

Në radhë të parë falenderoj iniciativën e ekranit të sipërmarrjes shqiptare, ekranit të ekonomisë shqiptare , Televizionin SCAN për këtë aktivitet jashtëzakonisht të rëndësishëm. Jemi në prag të nisjes së një sfidë të rëndësishme të Shqipërisë, që është integrimi rajonal i Ballkanit Perëndimor, një sfidë që i paraprin sfidës madhore që është sfida e integrimit europian. Duke e parë në këndvështrimin e organizimit dhe asaj çka përçon ky forum është jashtëzakonisht një sinjal i madh për sipërmarrjen dhe për politikën shqiptare. Është e thjeshtë të bëjmë konferenca dhe forume por e vështirë që të nxjerrim agjenda dhe problematika për të trajtuar dhe diskutuar në mënyrën e duhur.

Duke përgëzuar iniciatorët e forumit, dëgjova me kujdes fjalët e pjesëmarrësve dhe politikanëve shqiptarë. Akoma nuk shohim një agjendë konkrete duke bërë një skanim të situatës se si Shqipëria duhet të integrohet në Ballkanin Perëndimor, por nga ana tjetër edhe se si sipërmarrja shqiptare duhet të jetë e përfshirë në këtë iniciativë dhe këtë axhendë. Ne kemi sugjeruar që të ketë një agjendë të përcaktuar qartë ku të kthehen përgjigjet e çdo pikëpyetje të ngritur nga sipërmarrësit dhe qytetarët shqiptarë, se si mund të integrohemi në rajon, se si mund të jenë  benefitet që mund të përfitojë Shqipëria nga strategjia e integrimit që BE ka menduar për Ballkanin Perëndimor .

A është i gatshëm biznesi për t’u bërë pjesë e këtij tregu rajonal?

Është një pikëpyetje e madhe sepse që të themi që biznesi shqiptar është bërë gati për t’u përfshirë në tregun rajonal, duhet të jemi të kujdesshëm të bëjmë ligjin e sistemit të konkurrueshmërisë. Pra, sa konkurruese janë produktet e shërbimet shqiptare në tregun rajonal. Dhe është një pikëpyetje e madhe që i drejtohet sipërmarrjes shqiptare dhe qeverisë shqiptare. Sa avantazhe krahasuese kemi ne, në çfarë sektori dhe produkt për t’u përfshirë në ekonominë rajonale të Balkanit Perëndimor? E parë nga këndvështrimi jonë, nga skanimi që i kemi bërë, ne nuk jemi gati, ne vazhdojmë të mos kemi një agjendë  të qartë për t’u bërë gati dhe për ta përfshirë sipërmarrjen dhe qytetarin shqiptar në këtë rajonalizim. Një ndër pikat më të rëndësishme është edhe mobiliteti i kapitalit human. Kjo është një pikëpyetje e madhe se jemi të pazhvilluar nga pikëpamja teknologjike dhe nga ana e industrive por edhe me mangësi të theksuar nga ana profesionale e kapitalit human. Nëse i kualifikojmë këto burime njerëzore se kemi riskun për të lëvizuar kapitali human në një vend më të zhvilluar, se ne i vuajmë deficitet tona…

Po flitet për një zonë ekonomike rajonale. Pra biznesi shqiptar nuk është gati?

Ne kemi bërë shumë gabime në të shkuarën. Fillojmë me marrëveshjen e tregtisë së lirë dhe me CEFTA-n që ne kemi shkuar me duar në xhepa dhe pa një dosje përkatësese kush janë interesat reale të ekonomisë shqiptare. Nuk e nxjerr nga mendja se si në 2003 negociuam me Maqedoninë Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë dhe përjashtonim nga taksat doganore produktet e gatshme Maqedonisë që vinin në Shqipëri dhe i kishim vënë taksë lëndës së parë të Shqipërisë. Përgatitja teknike dhe profesionale e administratës publike për të mbrojtur interesat e sipërmarrjes janë jo në nivele realisht, mund të themi të papërgatitura dhe jo në nivelet e duhura e duhura. Në këtë rast mendoj se integrimi është pjesë e e procesit e nuk e ndalojmë po problem është se sa do të jetë pesha dhe sa do të jetë përfitimi ynë në këtë integrim. Nëse sipërmarrja dhe politika bashkë me botën akademike nuk hartojnë një strategji me agjendë të qartë se kush do jenë përfitimet, do të jemi prapë viktima si në marrëveshjen e Tregtisë së Lirë dhe Marrëveshjes CEFTA.

Kërkesa konkrete?

Normal që kemi një agjendë të përcaktuar qartë dhe ia kemi shpalosur edhe qeverisë. Agjenda jonë i ka të përcaktuara të gjitha përgjigjet e pikëpyetjeve të mëdha. Kemi një agjendë për të skanuar resurset dhe avantazhet krahasuese të ekonomisë shqiptare dhe për të bërë një skanim të industrializimit të sektorëve shqiptarë dhe në radhë të tretë kemi një agjendë të saktë se kush janë avantazhet krahasuese të sektorëve të e ekonomisë shqiptare për të performuar ,se nuk mund të luajmë në rajon me ligjin e forcës por luhet vetëm me ligjin e konkurrencës, cilësisë dhe standarteve.

SCAN

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU