Ilaçi i veshkave del në treg me dy çmime. Hetim për abuzim

Mashtrimi me çmimin e shitjes së ilaçit Soludamin nga kompania CFO Farma është shtrirë në të gjithë vendin. Të afërmit e të sëmurëve me veshka thonë se u është dashur të kufizojnë ushqimin e fëmijëve për të blerë ilaçin që shitet 180 herë më shtrenjtë se çmimi që duhet të ishte. Gazetarët tanë në rrethe gjetën fakte në vijim të denoncimit të Top Channel dy ditë më parë. Ndërkohë që në farmaci të njëjtin ilaç e gjen me etiketa false me çmim 1300 lekë dhe me etiketë të rregullt me çmim 74 lekë. E gjithë kjo skemë mashtrimi po hetohet nga autoritetet shtetërore, ndërsa janë grumbulluar fakte mjaftueshëm.

Një medikament që duhet të kushtonte 75 lekë të reja në farmacitë e Elbasanit është shitur 1100 lekë të reja. Bukurie Islami e ka blerë këtë medikament, Soludaminën, për rreth 10 vjet. Ajo tregon se e ka pasur mjaft të vështirë të përballonte çmimin e kripur dhe në jo pak raste është detyruar të lerë fëmijët pa ngrënë për t’i siguruar medikamentin bashkëshortit.

“11 000 lekë (të vjetra) bën një shishe e vogël. E mira ishte që ta blije çdo ditë. Duhet të lije fëmijët pa bukë që të blije ilaçin”, thotë Bukurija.

Soludamini në farmacitë e Vlorës shitet me dy çmime të ndryshime. Me çmim 13 mijë lekë të vjetra, por etiketa është false. I njëjti ilaç me etiketën me numër serie të rregullt çmimi është 740 lekë të vjetra. Farmacistët e Vlorës tregojnë se ilaçi me çmimin e ri dhe etiketën e rregullt ka mbërritur në Vlorë pak ditë më parë.

Janë të shumtë farmacistët në Tiranë që konfirmojnë se ilaçi Soludamin është tërhequr nga subjektet farmaceutike pasi Agjencia Kombëtare e Barnave do të bëjë verifikimin e çmimit të tij, ndërkohë që në një nga farmacitë më të mëdha të kryeqytetit ne e gjetëm ilaçin që duhet për pacientët që trajtohen me hemodializë. Fatura e ilaçit Soludamin shkon 1357 lekë. Por, duket se kontrolli i Agjencisë së Barnave nuk ka prekur të gjitha subjektet farmaceutike, pasi ilaçin e blemë në një tjetër farmaci.

Ky ilaç importohet në Shqipëri nga kompania CFO Farma e drejtuar nga Nadir Çausholli. Top Channel tregoi dy ditë më parë se ky ilaç shitej 180 herë më shtrenjtë se çmimi që duhej të shitej normalisht për të sëmurët me veshka dhe që trajtoheshin me hemodializë. CFO Farma e blen këtë ilaç me 48 lekë dhe e shet me 1300 lekë. Siç tregoi edhe Bukurie Islami nga Elbasani, për të blerë këtë ilaç i është dashur të heqë edhe bukën e fëmijëve të saj. Këto para’ shkonin si fitim abuziv për kompaninë e Nadir Çaushollit.

Zbulimi i gazetarëve të Top Channel ka vënë në lëvizje autoritetet. Qendra Kombëtare e Barnave, sektori i krimit ekonomik, por edhe prokuroria janë duke mbledhur fakte të shumta në farmacitë e të gjithë vendit për këtë mashtrim tregtar dhe falsifikim të dokumentave.

Top Channel

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU