“Historia” e Rea Xhillarit dhe Princesha Karolinë

Nga Ardit Rada/

Vajza e Linda Ramës ka qenë në qendër të lajmeve gjatë javës së fundit. Por jo për shkak të aktivitetit të saj publik, pasi të tillë zor se gjen, por për shkak të padisë që ka ngritur ndaj disa mediave online, ku u botua lajmi i një bashkëjetese të pretenduar mes saj dhe zv.ministrit të jashtëm Gent Cakaj.

Rea Xhillari doli në media për të konfirmuar se gjithçka flitej për këtë lidhje të pretenduar ishte e pavërtetë dhe se ajo do ta kërkonte të drejtën e saj në sallën e gjyqit, për sajesën që u përhap me shpejtësinë e dritës. Në fakt prej javësh shtypi ka njoftuar shqiptarët se kjo lidhje ishte e vërtetë, duke aluduar se kjo rrethanë ishte në origjinë të promovimit të shpejtë të Cakajt në krye të diplomacisë.

Tani që u bënë disa muaj që ky lloj gossipi qarkullon në media, mund të thuhet se kemi të bëjmë me një lajm të pavërtetë, pa asgjë reale. Askush nuk ka ofruar prova se mes vajzës së Linda Ramës dhe Gent Cakajt ekziston ndonjë lidhje çfarëdo, por tashmë ky thashethem e ka bërë xhiron e rrjetit. Mjafton të kërkosh në Google dhe rrjetet e sociale, për të parë sesa popullor është ky “fake news”.

Aspekti i dytë i kësaj situate të sikletshme për “çiftin” e sajuar Cakaj-Xhillari është justifikimi që përdoret, se të dy personat në fjalë janë figura publike dhe për pasojë duhet të vuajnë objektivisht edhe ekspozimin mediatik. Edhe kjo është një rrethanë që në rastin më të mirë është gjysëm e vërtetë. Nëse Gent Cakaj është realisht një person publik aktiv për shkak të postit që mban, Rea Xhillarin s’e ka parë askush, në thuajse asnjë rast, të vihet në qendër të ndonjë ngjarjeje, eventi apo “sebepi” publik. Asnjë postim i saj në rrjetet sociale nuk kërkon të jetë i botueshëm apo të ngjallë lajm ose diskutime apo debat.

Është një person i tërhequr në punën e saj, që për ne gazetarët nuk ka qenë kurrë një subjekt “interesant”.

Së treti, e këtu vijmë te një plagë e vjetër e shtypit shqiptar, mediat që ribotuan historinë në fjalë janë justifikuar formalisht se nuk kanë qenë ato burimi i lajmit, por thjesht riprodhuesit e tij. Në të gjitha standardet e sotme që rregullojnë lirinë e shprehjes, por dhe përgjegjësinë e medias përballë profesionit të tyre, ata që ribotojnë një lajm bëhen automatikisht përhapës, e për pasojë përgjegjës për atë lajm.

Rea Xhillari nuk është princeshë apo anëtare e ndonjë familjeje mbretërore. Megjithatë, duke i bërë rastit të saj të gjitha “zbritjet” e nevojshme, mund ta krahasojmë parimisht episodin në fjalë, me atë që i ndodhi Princesësh Karolinë të Montekarlos vite më parë.

Në vitet ’90 në shtypin gjerman dolën disa foto të saj me fëmijët, të cilat ajo i reklamoi pranë gjykatave gjermane, si shkelje të privatësisë. Rrethanat ishin ku e ku më të buta se rasti shqiptar Cakaj-Xhillari. Megjithatë, pasi gjykatat gjermane e hodhën poshtë padinë e princesësh, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg i dha të drejtë Karolinës së Montekarlos.

Kur disa foto me fëmijët konsiderohen shkelje privatësie, nëse nuk janë marrë në një event publik, por në park, si duhet konsideruar një aferë e paqenë mes dy të rinjsh në Shqipëri?!

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU