Habit ambasadori: Prezenca e UNMIK-ut në Kosovë nuk është më e nevojshme

Ambasadori i Finlandës në OKB, Kai Sauer mendon se prezenca e OKB në Kosovë nuk është më e nevojshme.

Në një intervistë dhënë për Institutin EastWest në New York, mbi rolin që duhet të luajë OKB në të ardhmen, ai thotë se OKB duhet të fokusohet në rajone të tjera dhe jo në Ballkanin Perëndimor.

“Kosova është një lloj mikrokozmosi i politikës ndërkombëtare dhe zhvillimit të saj. Politika ndërkombëtare nuk ka funksionuar që nga fillimi, ka pasur tensione midis Rusisë dhe fuqive perëndimore, gjë që e ka përkeqësuar situatën, duke pasur ndikim direkt mbi të. Kjo bëri që kosovarët dhe serbët të avanconin me politikat e tyre dhe palët punuan kundër njëri tjetrit,” tha ai.

Kai Sauer, ka pasur angazhim të gjatë në rajonin e Ballkanit. “Kosova ka qenë një operacion special, një operacion pionier në atë kohë, sepse kombinonte disa organizata ndërkombëtare, OKB, në qendër të saj, Bashkimin Evropian që merrej me ekonominë si shtyllë kryesore, OSBE që merrej me demokratizimin dhe NATO, KFOR-i, që merrej me sigurinë”.

Ai mendon se koordinimi midis këtyre aktorëve ka qenë shumë i keq, një rrëmujë që filloi më 1999 e zgjati deri më 2003 dhe OKB nuk arritur të bënte koordinimin e këtyre aktorëve aktiv në Kosovë.

“OKB ka në Kosovë përfaqësuesin special të Sekretarit të Përgjithshëm, të ngarkuar me përcaktimin e të gjithë këtyre funksioneve, por në fakt organizatat qenë të pavarura, puna ka qenë shumë burokratike,” thotë ai.

Megjithatë ai vlerëson se dëshira për të bërë punë të mirë ka qenë shumë e madhe dhe ”shumë gjëra janë arritur, situata u stabilizua, ne ndihmuam Kosovën të ngrihej në këmbët e veta, të paktën deri në gjysmë të rrugës”.

Sauer thotë se aspirata e Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit është të futen me BE dhe se BE është partneri më i mirë për të ndihmuar këto vende që të pranohen. “Kosovës i duhet zhvillimi ekonomik, dhe për këtë ka organizata të tjera të afta për ta shoqëruar atë në këtë rrugë,” u shpreh ai.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU