Goditet banda shqiptare në Greqi, hetuesit tregojnë manovrat e sofistikuara të grupit

Policia greke goditi një bandë shqiptarësh, e cila ka kryer sistematikisht plaçkitje të armatosura në pikat e karburanteve, në parkingje dhe shtëpi private.

Gjashtë shqiptarë kanë përfunduar në pranga pas një operacioni policor të zhvilluar në Athinë, Kesariani, Nea Ionia, Acharnes dhe Artemisa. Shqiptarët e arrestuar janë të moshës midis 22 dhe 41 vjeç dhe sipas policisë greke, ata kanë kryer më shumë se 9 grabitje.

Hetimi i policisë zbuloi se të pandehurit, për gjashtë muaj, kishin formuar një organizatë kriminale që kryente grabitje të armatosura.

Të arrestuarit vepronin në grupe prej dy deri në pesë persona, me një përbërje të ndryshme në secilin rast.

Ata i afroheshin në këmbë objektit që kishin piketuar për të grabitur, zakonisht në orët e hershme të mëngjesit.

Nëpërmjet kërcënimit të armëve të zjarrit por edhe të pajisjeve të tjera si thika apo tasera, ata kërcënonin viktimat e tyre. Në pikat e karburantit vidhnin paratë, ndërsa tek qytetarët merrnin sendet personale, telefonat celularë, etj.

Gjatë kontrolleve në banesat ku jetonin shqiptarët janë gjetur disa armës si dhe mbi një kg drogë e llojit kanabis.

Gjithashtu, janë sekuestruar edhe katër makina.Deri më tani, hetuesit kanë zbuluar se shqiptarët kanë plaçkitur 6 stacione benzine, dy automjete private në vendet e parkuara si dhe kanë grabitur një shtëpi dhe një motor./ i.h

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU