Gjykata liron Mario Meshinin të arrestuar për vrasjen e Devi Kasmit, dosja kalon te Krimet e Renda

Gjykata e Tiranës ka lënë të lirë një prej të arrestuarve për vrasjen e 41-vjeçarit Devi Kasmit, në janar të 2018-s.

Mario Meshini, u arrestua si personi që e nxori nga shtëpia Kasmin, ai u vu në pranga në shtëpinë e tij, pa bërë rezistencë.

Emri i të riut u zbulua pas verifikimit të thirrjeve dhe mesazheve telefonike në telefonin e Kasmit.

Por pas disa muajsh qëndrimi në qeli, Gjykata e Tiranës vendosi sot që ta lërë të lirë.

Devi Kasmi u qëllua disa herë me pistoletë në kokë dhe trup, ndërsa policia dyshon se porositës i vrasjes së tij është Domart Konjari, i cili kërkohet nga autoritetet shqiptare, por edhe ato franceze.

Vrasja ka dyshime se ndodhi për prishje të pazareve të kokainës në Francë dhe Spanjë. Edhe gjatë kontrollit të banesës së Kasmit u gjet 3 kilogramë kokainë, 300 gramë drogë LSD dhe një armë automatike.

Grupi i të arrestuarve për vrasjen e Devi Kasmit i ka kaluar Gjykatës së Krimeve të Rënda, pasi ajo e Tiranës e cilësoi si një grup të strukturuar kriminal.

Devi Kasmi u vra më 29 janar të këtij viti në derën e shtëpisë së tij. Ai u qëllua disa herë me pistoletë në kokë dhe trup. Si ekzekutues është i pandehur shtetasi grek Eftimiu Eftimius, 49 vjeç./ i.h

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU