Dhunë, thirrje për luftë dhe lajmërim funerali. Nuk është lajm nga kronika e zezë, por epilogu i derbit të kryeqytetit, midis Tiranës e Partizanit, që më shumë se për barazimin dramatik 2-2 tani do të kujtohet për rrahjen e paprecedent të drejtorit të Partizanit, Dritan Dervishi, i goditur nga drejtori i Tiranës, Devi Muka.
Komisioni i Disiplinës pranë FSHF dënoi disa prej protagonistëve, por injoroi një detaj të bërë publik përmes internetit.
Ishin pamje tronditëse ato të kapitenit bardheblu, Gentian Muça, teksa me megafon në dorë u drejtohej tifozëve ultras të grupimit Tirona Fanatics.
Futbollistëve tanë u pëlqejnë lëvdatat po aq sa nuk i durojnë dot kritikat, me siguri që kur dalin përballë pasqyrës në të shohin lojtarët më të mëdhenj të botës, të adhuruar nga miliona tifozë. Por asnjë nga idhujt e topit nuk do ta bënte atë që t’u drejtohej adhuruesve të tij me thirrje funerali, fjalë të tilla si “mbyte morrin e kuq”, “mbyti komunistat”, “mbyte Beogradin”, “do varrosim Partizanin në Shish Tufinë” e të ngjashme si këto.
Kjo nuk është “dhunë nga tribuna VIP”, është dhunë nga brenda fushës, nga ata që shpesh kanë qenë viktima dhe tani kalojnë në rolin e dhunuesit, edhe pse pa goditur me grusht.
Grushtat në fytyrën e drejtorit të Partizanit janë thjesht goditje me pambuk krahasuar me dhunën e tmerrshme verbale, psikologjike të dalë nga gryka e atij megafoni. Yjet e botës janë model për të rinjtë e fëmijët, por çfarë modeli është ky që mund t’u ofrojë Muça, me ofendime dhe varrime? Çfarë thirrje është kjo, për të mbytur “komunistët” 20 e ca vjeçarë të Partizanit, apo përcjellja e urrejtjes me përmendjen e Beogradit? Ku është respekti për bashkëlojtarët, për njerëzit mbi të gjitha, aq më tepër që Muça është një besimtar i devotshëm i një feje që mëson për paqe e dashuri mes të gjithëve.
Bardheblutë, tifozë e lojtarë bashkë, nuk harrojnë kurrë të thonë se fanella e Tiranës ka peshë të rëndë. Pesha e fanellës nuk do të thotë thjesht trofé të fituar në dekada, do të thotë institucion që respektohet, por edhe që respekton, brenda e jashtë fushës. Institucioni që pretendon të jetë Tirana nuk mund të respektohet për sa kohë që nuk respekton, për sa kohë që jeton ende me fantazmat e së kaluarës dhe e mbushur me një urrejtje pa kuptim ndaj atyre që nuk i kanë asnjë borxh.
Dritan Ikonomi
bravo dritan.
jam tifoz i tirones , po ketyre i kon dal ment per xhiro me biciklete.
nuk arrij ta kuptoj ket llo jgjuhe.