FOTO/ Flet Jahjaga, fle Nishani, mungon Rama, ikin ministrat
Në kuadër të vizitës së saj dy ditore në Shqipëri, presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga ka mbajtur edhe një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë. Presidentes kosovare Jahjaga iu bë një pritje e ngrohtë dhe ceremoniale në Kuvend, me buqeta me lule, plot duartrokitje.
Seanca nisi me një urim mirëseardhje nga kryetari i Kuvendit Ilir Meta, por në këtë seancë jo të zakonshme mungonte kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili nuk u pa të ishte në sallën e Kuvendit për të dëgjuar fjalimin përshëndetës të presidentes së Kosovës. Sipas burimeve nga Kryeministria por edhe nënkryetari i Grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla e tha se Rama është nisur për një vizitë zyrtare në Gjermani.
Më herët gjatë ditës kryeministri e ka pritur në një takim të veçantë Jahjagën në ambientet e Kryeministrisë, por kjo e sotmja ishte e parë vizitë zyrtare e presidentes së Kosovës në vendin tonë, edhe pse më herët ka pasur takime mes qeveritarëve tanë.
Në sallën e Parlamentit për nder të presidentes kosovare nuk mungoi as Presidenti Bujar Nishani, të gjithë deputetët e majtë dhe të djathtë, por edhe ambasadorët e akredituar në vend. Në një foto të kapur duket se presidenti Nishani gjatë fjalës së Jahjagës merr një sy gjumë.
Por kush ishin ministrat që munguan? Nasip Naço, Klajd Gjosha, Damian Gjiknuri, Mirela Kumbaro, Blendi Klosi, Arben Ahmetaj, Milena Harito, Lefter Koka, Edmond Panariti. Me sa duket ministrat dhe kryeministri kishin angazhime shumë më të rëndësishme për të ndjekur, sesa fjalimin 11 minuta të presidentes Jahjaga…
Redaksia Java News/ f.g