FOTO/ Shqipëria në zi kombëtare, krerët e shtetit nderojnë ‘Dëshmorin e Atdheut’, majorin Klodian Tanushi

Shqipëria është sot në zi kombëtare në nder të majorit Klodian Tanushi i rënë në krye të detyrës gjatë një misioni në Letoni.

Në nder të major Tanushit, komandant i kontingjentit shqiptar në Letoni, ditën e sotme  në të gjitha institucionet publike e private, flamuri kombëtar do të ulet në gjysmështizë.

Homazhet për major Tanushin kanë nisur prej orës 10:00 në Muzeun Historik Kombëtar dhe mbyllen në 12:00.

Të parët që u përkulën mbi arkivolin e mbuluar me flamurin kuqezi ishin familjarët, ndërsa moment prekës ishte parakalimi para fotos së Tanushit i bashkëshortes me të bijën 1 vjeç e gjysmë.

Përveç një numri  të madh të Forcave Ushtarake në ceremoninë e homazheve për majorin e rënë në krye të detyrës, Klodian Tanushi kanë marrë pjesë edhe disa nga krerët e shtetit. Presidenti i vendit, Ilir Meta; ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj; ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli; kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi; kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, ish-deputetetët e PD-së, Edi Paloka dhe Etmond Spaho; si dhe kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj

Ndërkohë shihet një prani e madhe edhe e qytetarëve që kanë ardhur për të kryer homazhe në nder të major Tanushit.

Major Tanushi nuk mundi që t’i mbijetonte plagëve të marra si pasojë e shpërthimit të një mine gjatë misionit në Letoni. Kjo minë pasi i mori jetën në vend nëntetares Zarife Hasanaj, i kushtoi vdekjen edhe major Tanushit. Ai edhe pse u shtru në spitalin e Rigës për disa ditë në gjendje të rëndë, humbi betejën me jetën  mbrëmjen e së premtes më 10 maj. Majori la pas bashkëshorten dhe tre fëmijë, më të voglin vetëm një vjeç.

g.kosovari

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU