Kjo që shihni në foton më poshtë do të jetë fleta e votimit që qytetarët në Dibër do të votojnë për kryebashkiakun e ri.
Fletët e votimit u prodhuan nga kompania sllovene “Cetis” dhe janë depozituar në Magazinat e Lundrës sipas të gjitha procedurave ligjore, njofton KQZ-ja.
“Aktualisht, Administrata e KQZ-së po punon intensivisht dhe është në fazën e përgatitjes së bazës materiale zgjedhore: kutitë me mjetet kancelarike, kutitë e votimit, kutitë e materialeve zgjedhore dhe i gjithë dokumentacioni i nevojshëm për mirëadministrimin e procesit zgjedhor. Sot përmbyllet përgatitja e bazës materiale zgjedhore, dhe ditën e enjte në mëngjes, dt. 8 shtator, do të vijohet me dërgimin e tyre në KZAZ-në 19, Dibër, e cila më pas në do ta shpërndajë çdo Qendër Votimi”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Ndërkohë sot, kanë nisur sesionet e trajnimit për Komisionerët e Qendrave të Votimit në bashkinë e Peshkopisë raporton Panorama.
“Sipas informacioneve të sjella nga Administrata e KQZ-së e cila ndodhet në Dibër dhe do të trajnojë komisionerët, rezulton se në katër vende trajnimi, Shkolla “Nazmi Rushiti”, në Peshkopi, Shkolla 9-vjeçare në Maqellarë, Shkolla 9-vjeçare në Qendër Tomin, Shkolla 9-vejçare në Sohodoll, nuk është paraqitur asnjë komisioner i Qendrave të Votimit për t’u trajnuar.
KQZ ripërsërit apelin ndaj partive politike që të marrin masa dhe të dërgojnë komisionerët e propozuar prej tyre, në sesionet e trajnimit, pasi trajnimi i tyre është shumë i rëndësishëm për mirëadministrimin e procesit zgjedhor”, mbyll njoftimin KQZ./a.m.