Disa prej fëmijëve që janë larguar nga Tirana dhe Durrësi, dy qarqet më të mëdha që u prekën nga tërmeti, kanë nisur mësimin në shkollat e qarqeve dhe qyteteve të tjerë të vendit, ku edhe jnë strehuar përkohësisht.
Në Gjirokastër 7 fëmijë janë ulur në bankat e shkollës së qytetit ndërsa në Velipojë kanë zgjedhur të mos shkëputen nga mësimi 8 nxënës.
Erindi i është larguar Tiranës pas tërmetit të nëntorit dhe qetësinë e ka rigjetur tek gjyshja në Gjirokastër.
Ai nuk dëshiron të humbasë asnjë orë mësimi ndaj ka vendosur të frekuentojë shkollën artistike të qytetit përgjatë kësaj jave.
Studion disa instrumente muzikore ndërsa thotë se me mjedisin e ri është përshtatur shumë shpejt.
“Në shkollë u përshtata me nxënësit e rinj, kisha pak emocione, por shumë mirë kalova dhe them që këtë javë të vazhdoj këtu, duke studiuar kitarë, piano dhe violinë”
Janë 7 fëmijë, 3 nga Tirana dhe 4 të tjerë nga Durrësi të cilët janë ulur në bankat e shkollës së qytetit të gurtë.
Në Velipojë 8 nga 16 fëmijët e zonave të prekura nga tërmeti që janë strehuar në këtë qytet kanë zgjedhur të mos shkëputen nga procesi mësimor dhe ta vazhdojnë atë pranë shkollës “Gjergj Vat Martini”.
“Kemi pasur frikë, të gjithë ishim të tmerruar, por tani ka kaluar”, thonë prindërit, të cilët shtojnë se tërmetet e njëpasnjëshme kanë ndikuar jo pak në gjendjen psikologjike të të vegjëlve të tyre.
Sot mësimi nisi normalisht në 9 qarqe të vendit përveç Tiranës, Durrësit dhe Lezhës. Në Elbasan nxënësit thanë se mësuesit janë kujdesur t`i këshillojnë se si duhet të veprojnë në rast tërmeti.
Edhe në qytete të tjera ka nxënës nga Durrësi dhe Tirana, që kanë shkuar në shkollë, me moshatarët e tyre, për të nisur kështu sadopak normalitetin, pas traumave që shkaktoi që solli tërmeti.
/a.r