Dhjetëra migrantë dhe refugjatë të irrituar, kryesisht afganë, të cilët ndodhen prej disa muajsh në kampin e Helinikon, pranë Athinës, kanë tentuar të pengojnë hyrjen e ministrit grek të Migracionit, Janis Muzalas, i cili zhvilloi një vizitë atje.
“Ne jemi qenie njerëzore. Ne nuk jemi kafshë”, është shprehur një prej manifestuesve të irrituar ndaj ministrit, i cili arriti më në fund hynte brenda kampit, sipas imazheve të publikuara nga televizionet.
Ministri ka shprehur keqardhje se disa prej manifestuesve, numri i të cilëve nuk arrin në 30 sipas tij, kanë tentuar ta godasin.
Ai akuzoi një organizatë antiraciste për nxitjen e kësaj proteste.
“Nuk ka pasur grevë urie, manifestuesit janë përpjekur të ndalojnë hyrjen e kamionëve dhe dërgimin e personave të sëmurë në spital”, theksoi ai.
“Rreth 1 500 refugjatë jetojnë që prej rreth një viti në Helinikon, një qendër që përfshin ish-stadiumet e hokejit, bejzbollit dhe një sallë pritjeje dhe nuk është e përshtatshme për një strehim afatgjatë”, sipas OJQ-ve./a.m.