Paraditen e sotme INSTAT ka publikuar shifrat e rritjes ekonomike në tremujorin e dytë të vitit 2018. Produkti i Brendshëm Bruto në tremujorin e dytë të këtij viti vlerësohet me rritje prej 4,32%, kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2017.
Sipas INSTAT ndikimin kryesor në këtë rritje e ka dhënë energjia elektrike dhe industria nxjerrëse me 2.37% të PBB. Edhe në tre mujorin e parë, ku rritja ishte 4,45 %, kundrejt tremujorit të parë të vitit 2017 ndikimin kryesor e dha sërish sektori i energjisë, që ka ndikuar me 2.42%, më shumë se gjysmën e rritjes.
Në tre mujorin e dytë negativisht kontribuoi aktiviteti i Ndërtimit me -0,19 pikë përqindje, Informacionit dhe Komunikacionit me -0,16 pikë përqindje.
“Produkti i Brendshëm Bruto në tre mujorin e dytë të 2018 vlerësohet me rritje me 4.32 % krahasuar me tre mujorin e dytë të vitit 2017. Kontributin kryesor në këtë rritje e dhanë degët industria, energjia dhe uji me 2.37%, ku energjia ka dhënë ndikimin kryesor me 1.76 pikë përqindje.
Gjithashtu kontribut ka dhënë grupi i nëndegëve tregti, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor me 0.82 pikë përqindje.
Degët kryesore të ekonomisë për 3-mujorin e dytë të vitit 2018 krahasuar me 3-mujorin e dytë të vitit 2017 shfaqen si më poshtë: Aktiviteti i bujqësisë, peshkimit dhe ujit pati rritje me 1.56 % i ndikuar kryesisht nga ecuria e peshkimit. Aktiviteti i industrisë, energjisë dhe ujit pati rritje me 20.87 % i ndikuar nga energjia elektrike që u rrit me 67.44%. Në të njëjtën linjë industria përpunuese në këtë tre mujor u rrit me 11.16%. Industria nxjerrëse shfaqi tendencë rënëse me 3.98%. Aktiviteti i ndërtimit ra me 2.16%.
Grupi i aktiviteteve tregti, transport dhe shërbim ushqimor, i cili lidhet dhe me turizmin u rrit me 5.71%. Brenda grupit rritjen më të lartë e ka pasur nëngrupi aktivitetet dhe shërbimi ushqimor që u rrit me 21.4%”, deklaroi Delina Ibrahimi
a.ç