E vetmja gjë e qartë, është paqartësia e Bashës

Nga Mero Baze

Lulzim Basha mund ta shmangte këtë udhëtimin e fundit për një seminar në Gjermani. Mund të kursente dhe lekët e biletës së Tritanit. Në momentet më kritike të opozitës, kur ajo është e paqartë, nëse duhet të bëjë revolucion paqësor apo të dhunshëm, në kohën kur ajo gëzohet me të njëjtin ton dhe kur nuk hedh molotov, dhe kur hedh, në kohën kur dhe Shpëtim Idrizi nuk duron dot më, ikja në Berlin në mesnatë, mund të bëhej vetëm për ndonjë arsye madhore.

E tillë mund të ishte mundësia për të siguruar një lobim për marrëveshje për të hyrë në zgjedhje dhe për të gjetur një dalje nga budallallëku ku është zhytur.

Në kulmin e një tensioni të paprinciptë në Shqipëri për shkak të rrugës ku ka futur opozitën, të ikësh në Gjermani dhe të fusësh në siklet dhe ata pak lobistë të tu, që të mos dalin nga zyra, se kanë frikë se u bën foto me celular sikur i takove, është poshtërim për opozitën.

Opozita realisht meriton më shumë mbështetje ndërkombëtare, se sa e keqkatandisi Lulzim Basha për protagonizëm personal. Ky që niset të takojë Merkelin, nuk takon dot as lobistët e vet, dhe i zë rrugën nëpër korridore një ndihmës këshilltari. E thënë më qartë, vetë këshilltarët janë ndihmës të një udhëheqësi, kurse ndihmësa të këshilltarëve konsiderohen ose sekretaret që i mbajnë zyrën, ose shoferi apo badigardi.

E gjithë kjo vjen nga keqpërdorimi i pamëshirshëm që Basha i ka bërë vëmendjes gjermane për Shqipërinë dhe një lloj mitomanie që ai demonstron, duke gënjyer dhe veten, kur është në krizë.

Dhe nuk është fjala thjesht për shpërdorimin që i bën betejës së opozitës, por dhe konfuzionin që ngjall tek opozita për rolin e tij.

Po të mos kishte ikur në Gjermani pas protestës së fundit, po të vazhdonte të qëndronte dhe të çonte deri në fund marrëzinë e tij, natyrisht që do të ishte më mirë për opozitën.

Tani opozita jonë nën drejtimin e Lulit është bërë si ato pulat e frigoriferit, që herë i fut në akull, e herë i shkrin, gati për t’i gatuar, e pastaj i fut përsëri në akull.

Askush nuk ja kërkoi nga opozita Bashës një udhëtim në Gjermani, duke i gënjyer se do kishte takime të rëndësishme. Askush nuk ja kërkon më ta zgjidhë këtë punë me Perëndimin, pasi qëndrimi i Perëndimit është i qartë dhe fatkeqësisht për Bashën, është shumë indiferent ndaj hallit të tij, pasi është një vendim që e ka marrë me koshiencë kundër Perëndimit.

Tani nuk ka pse e demoralizon opozitën, duke bërë sikur ka dhe mbështetje Perëndimore. Po qe se ka fuqi, le ta përmbysë Edi Ramën me dhunë. Nëse jo, le të vendosë ta përmbysë me paqe dhe lëvizje gandiste. Por kjo strategjia e tij, dy herë dhunë, një herë paqe, tre herë kundër Perëndimit, një herë pro, dhe më tej akoma, zëra nga LSI për të hyrë në zgjedhje dhe zëra nga PD për të thënë kurrë, thjesht krijojnë një tablo të qartë të mungesës së udhëheqjes së opozitës dhe eksperimentit të saj të rrezikshëm, me moton “të dalë ku të dalë”.

Ky stili i Bashës, që sa herë trembet në Tiranë, ikën të qetësohet në Gjermani, dhe pastaj kthehet për ta vazhduar ku e la, është shembulli se si ta shpërdorosh energjinë opozitare, qoftë dhe negative. Dhe si t’u tregosh të gjithëve, se nuk ke një plan. (Tema)

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU