E rrëzuar nga Vettingu, Gjykata Kushtetuese do të jetë funksionale brenda kësaj vere, me të paktën 7 anëtarë

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e rrëzuar nga veprimi i ligjit të Vetingut, do të jetë funksionale brenda kësaj vere, me të paktën 7 anëtarë nga 9 gjithsej. Sipas Kushtetutës së ndryshuar në korrik të 2016, 9 anëtarë e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen 3 nga Kuvendi i Shqipërisë, 3 nga Presidenti dhe 3 nga Gjykata e Lartë, në bashkëpunim me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Po në çfarë fazë është procesi i zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, a ekziston mundësia e bllokimit dhe çfarë e ka penguar deri më sot?

Gjashtë anëtarët e parë, sipas të gjitha gjasave dhe bazuar në afatet ligjore, do të emërohen brenda dy muajve, ku së bashku me anëtaren aktuale Vitore Tusha, Gjykata Kushtetuese do të ketë të paktën 7 anëtarë, të cilët mund të nisin shqyrtimin e 79 kërkesave që janë në pritje për t’u shqyrtuar. Ndërkaq, Presidenti, Kuvendi, politika apo Gjykata e Lartë, kanë zero mundësi dhe hapësira për të bllokuar zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë. Aktualisht, meqenëse Kushtetuesja ka vetëm një anëtare, konkretisht Vitore Tushën, mund të depozitohen kërkesa, ndonëse nuk shqyrtohen. Nëse Kuvendi vendos të shkarkojë Presidentin, vendimi i shkarkimit mund të depozitohet në Kushtetuese, e cila mund ta shqyrtojë me përparësi sapo të emërohen gjashtë anëtarët e parë.

Faza në të cilin ndodhet procesi aktualisht 

Aktualisht, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i përbërë nga Ardian Dvorani, Vitore Tusha, Arta Marku, Fatri Islamaj, Margarita Buhali, Fatjona Memçaj, Eriol Roshi, Medi Bici (zëvendësues), Gurali Brahimllari (zëvendësues) dhe Klodiana Veizi (zëvendësues), është në fazën e fundit të verifikimit dhe renditjes së kandidatëve të cilët i janë përgjigjur thirrjeve të Presidencës dhe Kuvendit, duke aplikuar për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. Për gjashtë vendet e para vakante janë 52 kandidatë. Verifikimi i tyre ka nisur që në muajin prill. Për verifikimin e kandidatëve për ligjshmërinë e pasurisë, anën profesionale dhe integritetin moral, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi u ka kërkuar informacion rreth 60 institucioneve publike dhe subjekteve private, ku kryesorët janë Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Drejtoria e Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave, shërbimet informative etj. Ky proces pritet të mbyllet brenda muajit qershor.

Brenda 10 ditëve, në bazë të informacioneve të dokumentuara, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi bën renditjen e kandidatëve. Këshilli më pas iu dërgon Presidencës dhe Kuvendit nga një listë me renditjen e kandidatëve për çdo vend vakant në Kushtetuese. Nëse ka më shumë se një vend vakant, Këshilli harton dy lista të veçanta, një prej të cilave është me kandidatët që vijnë nga radhët e gjyqësorit. Lista shoqërohet nga një raport me shkrim, ku analizohet plotësimi i kushteve dhe kritereve ligjore për secilin kandidat. Kuvendi dhe Presidenca duhet të zgjedhin kandidatët brenda 30 ditëve, në të kundërtën kandidati i renditur i pari konsiderohet automatikisht i zgjedhur.

Kandidatët nga Gjykata e Lartë

Gjykata e Lartë ka bërë disa herë njoftime publike përkatëse për shpalljen e hapjes së  procedurës së shprehjes së interesit të kandidatëve që dëshirojnë të konkurrojnë për plotësimin e tre vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese. Procesi ka dështuar për shkak të mungesës së kandidatëve. Shpalljen e fundit Gjykata e Lartë e ka bërë në 19 prill 2019. Në përfundim të afatit 30-ditor, kanë shprehur interesin kandidatët z. Sinan Tafaj dhe z. Klodian Rado, të cilët kandidojnë për dy nga tre vendet vakante. Mungesa e kandidatëve nga ana e Gjykatës Kushtetuese ka bërë që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të jetë në kushtet e pamundësisë për të verifikuar kandidatët dhe për të bërë renditjen e tyre sipas ligjit. Gjithashtu, kandidatët e pakët ulin mundësinë që ata të plotësojnë të gjitha kriteret ligjore. Kushtetuesja do të vijojë shpalljen e hapjes së  procedurës deri kur të bëhet të arrihet një numër i domosdoshëm kandidatësh që plotësojnë kriteret.

Zgjedhja e tre anëtarëve nga Presidenti

Presidenti i Republikës ka një rol formal dhe figurativ në zgjedhjen e tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kreu i shtetit është i detyruar që për çdo vend vakant në Gjykatën Kushtetuese të zgjedhë një emër mes tre emrave të parë në listën e renditur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Nëse Presidenti refuzon që ta ushtrojë këtë të drejtë brenda 30 ditëve, kandidati i renditur në krye të listës konsiderohet i emëruar. Procedura e emërimit parashikohet në nenin 7/b të ligjit për Gjykatën Kushtetuese, ndryshuar në vitin 2016. Pika 4 e nenit 7/b parashikon që “Presidenti brenda 30 ditëve nga marrja e listës prej Këshillit të Emërimeve në Drejtësi emëron gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese nga kandidatët e renditur në tre vendet e para të listës. Dekreti i emërimit shpallet i shoqëruar me arsyet e përzgjedhjes së kandidatit. Nëse Presidenti nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë konsiderohet i emëruar”.

Zgjedhja e tre anëtarëve nga Kuvendi

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i dërgon Kuvendit një listë me kandidatët e renditur sipas meritës si në rastin e Presidentit. Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, sipas renditjes, brenda një afati të arsyeshëm, organizon seancat dëgjimore me kandidatët. Pas këtyre seancave, Komisioni i dërgon Kuvendit emrat e tre kandidatëve për çdo vend vakant bashkë me raportin e arsyetuar për secilin kandidat të përzgjedhur. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen me tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Nëse Kuvendi nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë konsiderohet i emëruar.

Çfarë e ka penguar deri më sot zgjedhjen e anëtarëve të Kushtetueses?

Pengesa kryesore për zgjedhjen e anëtarëve të Kushtetueses, të patën të 6 anëtarëve nga Kuvendi dhe Presidenti (pasi Gjykata e Lartë nuk ka mundur të ketë listë me kandidatë), janë bërë anëtarët e mëparshëm të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, një pjesë prej të cilëve i ‘dogji’ Vetingu. Deri më sot KED është ripërtërirë tre herë pasi anëtarët kanë mandat 1-vjeçar. Anëtarët e parë dhe të dytë të KED nuk miratuan aktet nënligjore për vlerësimin e kandidatëve. Anëtarët aktualë të KED, të zgjedhur në janar, përfunduan në muajin prill paketën e akteve nënligjore normative. Pa këtë paketë nuk mund të përzgjidheshin dhe renditeshin kandidatët për në Kushtetuese.

Pengesa të tjera, Vetingu rrëzoi KED të 2018 

Sipas ligjit të Gjykatës Kushtetuese, ndryshuar në 2016, kandidatë për anëtar i Gjykatës Kushtetuese duhet të të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit. Ky proces i ka kushtuar shumë kohë KED. Ky proces nuk ka lidhje me Vetingun. Vetingu është një proces tjetër. Madje, disa nga kandidatët për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese janë shkarkuar nga Vetingut. Por ashtu, disa nga anëtarët e KED janë shkarkuar nga Vetingu. Nga 9 anëtarë të KED në 2018, 8 u shkarkuan nga Vetingu. Ata janë Rovena Gashi, Bashkim Dede, Artan Broci, Altina Xhoxhaj, Shkëlzen Selimi, Gentian Trenova, Fatos Qato dhe Ahmet Jangulli. Rrëzimi i KED të 2018 nga Vetingu pamundësoi procesin e miratimit të paketës nënligjore dhe nisjen e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të Kushtetueses.

Si zgjidhet Këshilli i Emërimeve në Drejtësi? 

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore. Presidenti i Republikës përzgjedh me short, midis datave 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik, dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga gjykatat e apelit, si dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative. Nëse Presidenti i Republikës nuk arrin të zgjedhë anëtarët deri në datën 5 dhjetor, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me short brenda datës 10 dhjetor të atij viti kalendarik. Gjithashtu, zgjidhen me short si anëtarë zëvendësues për nivelin përkatës, një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, një gjyqtar i Gjykatës së Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, një gjyqtar nga gjykatat e apeleve, një prokuror nga prokuroritë pranë gjykatave të apelit dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative.

Kushtetuesja

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e rrëzuar nga veprimi i ligjit të Vetingut, do të jetë funksionale brenda kësaj vere, me të paktën 7 anëtarë nga 9 gjithsej.

Pengesa  

Pengesa kryesore për zgjedhjen e anëtarëve të Kushtetueses, të patën të 6 anëtarëve nga Kuvendi dhe Presidenti (pasi Gjykata e Lartë nuk ka mundur të ketë listë me kandidatë), janë bërë anëtarët e mëparshëm të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, një pjesë prej të cilëve i ‘dogji’ Vetingu./shqiptarja.com

g.kosovari

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU