Dy elementet që degraduan krizën e mandateve

Nga Skënder Minxhozi/

Dikur i mateshin ta gjuanin me antitank. Sot e godasin me shtiza, urinojnë në derën e saj, i hedhin bomba Molotov dhe gjithfarë mjetesh që bëjnë zhurmë, tym dhe flakë. Duket sikur, në inatin e saj historik ndaj godinës së qeverisë (kur ndodhet në opozitë), PD ka ardhur duke e banalizuar edhe vetë dhunën me kalimin e viteve. Nga tanket e marra me dhunë nga duart e Gardës dhe bazukat e kallashnikovët, tek kalldrëmi i bulevardit dhe shishet me lëndë djegëse.

Tre muaj pasi hodhën në Lanë mandatet parlamentare, opozitarët po përjetojnë atë që pritej: degradimin e protestave dhe të të gjithë projektit për të rrëzuar qeverinë aktuale. Nga njëra protestë në tjetrën pjesëmarrja ka ardhur duke u tkurrur, në përpjestim të drejtë më rritjen e dhunës ndaj godinave të shtetit, djegien e makinave dhe mbylljen e bizneseve, e gjitha kjo në sfondin e një Tirane që sillet ndaj rrëmujave, me të vetmin reagim që di ta shpalosë në këto raste: indiferencën e plotë. Sikur të mos ishte për zhurmën e mediave dhe studiot e debateve televizive, kryeqyteti dhe i gjithë vendi, do të kthenin kryet nga kriza politike vetëm kur të shihte përleshjet e rradhës me policinë tek parlamenti ose Kryeministria. Pjesa tjetër e jetës shqiptare vazhdon të mbushet me perditshmërinë e zakonshme.

Banaliteti ose serioziteti i një lëvizjeje politike në Shqipëri, është përcaktuar në tre dekadat e fundit edhe nga një element bazë, i cili këtë herë mungon tërësisht: interesimi dhe gatishmëria e të huajve për të bërë arbitrin e krizës. Prej ditëve të para pas djegies së mandateve u kuptua se Basha dhe Kryemadhi kishin hedhur një hap që pakkush në Bruksel, Uashington, Berlin apo Londër, do ta aprovonin. Megjithëse sot ndodhemi përballë protestës së 13-të të opozitës, qëkurse është dorëhequr nga sistemi politik, pozicioni i ndërkombëtarëve – të vetmit ndërmjetës të mundshëm mes Ramës dhe Bashës – vijon të ketë ai i refuzimit kategorik të përligjjes së aktit kolektiv të opozitës.

Përveç ndonjë thirrjeje të ndrojtur të ambasadorit italian për dialog dhe disa deklarateve personale të deputetëve të djathtë europianë, nuk gjen sot, tre muaj pas fillimit të krizës, asnjë qeveri, institucion apo trupë tjetër ndërkombëtare, që të kenë bërë zyrtarisht thirrje për të gjetur një kompromis bazuar mbi listën e kërkesave të opozitës shqiptare. Përkundrazi, është nënvizuar se zgjedhjet dhe institucionet e dala prej tyre janë legjitime, duke i ftuar deputetët e listave që të plotësojnë vakuumin e krijuar nga kolegët e tyre.

Amerikanët dhe evropianët i dëgjojnë qartë dhe pastër, si akuzat e Bashës ndaj qeverisë, ashtu edhe qëndrimet e kësaj të fundit në lidhje me krizën. Heshtja elokuente e Perëndimit ndaj kësaj përplasje dhe ato çfarë kancelaritë kanë thënë dhe po thonë, e shtyjnë edhe më tej në dhunë dhe banalitet palën që ka veshur sot mantelin e protestuesit me shishe benzine në dorë. Mungesa e një fryme popullore kombëtare dhe vështrimi i ftohtë i të huajve mbi bulevardin e Tiranës, janë dy elementet esenciale që e kanë futur në krizë të qartë opozitën shqiptare.

PD e LSI kishin planifikuar një tjetër lloj pranvere shqiptare, në momentin kur dogjën mandatet e partive të tyre në shkurtin e këtij viti. Ky projekt sot është në vështirësi të plotë dhe në prag falimenti. Dhe si e vetmja mënyrë për ta mbajtur atë gjallë, sot shihet dhuna, kërcënimet e skajshme dhe sulmi banal ndaj ambasadorëve të huaj në Tiranë, ose edhe ndaj zyrtarëve evropianë që as janë votuar nga ne, as na e kanë nevojën për ndonjë gjë dhe as marrin leje tek zyra e Lulzim Bashës para se të thonë atë që mendojnë. Degradimi i lëvizjes opozitare, në një guerrilje të verbër që sulmon e djeg çfarë të gjejë përpara, është shenja më e qartë e banalizimit të një lëvizjeje politike, e cila vetëm tre muaj më parë parashikonte të ngrinte një revolucion paqësor që do ta rrëzonte brenda javës qeverinë.

Po përjetojmë një Çadër nr.2, me të vetmin ndryshim, që kësaj rradhe në Rinas nuk po shihet të vijë askush për të nxjerrë nga bataku ata që gatuan çorbën e pangrënshme të mandateve.

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU