Dy E-të e Lulzim Bashës dhe një K

Nga Bledi Lumani

Edi Rama mund të jetë i korruptuar dhe i paaftë për të qeverisur, por ai ka një fat të madh: Lulzim Bashën!

Ashtu siç e thotë edhe vetë, me të në opozitë, mund të qeverisë sa të dojë!

Dhe ka të drejtë, kur sheh njerëzit me të cilët identifikohet sot në publik Lulzim Basha dhe PD.

I pari është Ervin Salianji, që shfaqet çdo natë nëpër TV-të shqiptare, herë me kasetë në xhep si ndonjë regjisor i Kinostudios, herë si sherrxhi rrugësh, e herë si viktimë (në sallën e Parlamentit shfaqej edhe si dashnor zemërthyes).

I dyti është Edi Paloka, që këto kohët e fundit, ngado që shfaqet, rrëfehet me krenari e mburrje si ata kalamajtë kur rrahin të fortin e lagjes, si bojatisi Ramën. Fundja në gjithë këto vite politike, Paloka vetëm për sherre dhe lidhje me të “fortët” është përmendur.

I treti është Klevis Balliu, që njësoj si ata vandalët e stadiumeve, çdo pasdite bllokon rrugët dhe përleshet me policinë.

Del ndonjëherë edhe Albana Vokshi që flet për lirinë e medias (është motra e asaj që çdo mbrëmje ngrinte në qiell Berishën në lajme, kur si president dhunonte e burgoste gazetarë), apo Grida Duma e Jorida Tabaku (ndër të paktat politikane serioze nga të dyja krahët e politikës).

Edhe ndonjë zë serioz që kishin, si Tomor Alizoti, që kur vuri në vështirësi gjatë një emisioni Edi Ramën, e “zhdukën” dhe nuk ka dalë më në publik, që prej asaj dite!

Gjithë peshën politike të PD-së në publik, e mbajnë ata të tre.

Nuk flasin për asnjë projekt politik, asnjë model zhvillimi ekonomik, si do e luftojnë shkretimin e Shqipërisë nga ikja e njerëzve, papunësinë, krimin, korrupsionin.

Jo se nuk duan, por gjuha e vetme që dinë, është ajo e sherrit dhe dhunës!

Mendojnë se Rama luftohet vetëm me grushta, jo ide, ndaj dhe përpiqen të bëjnë të fortin, madje edhe vetë Ervin Salianji, që ka filluar trash zërin studiove televizive.

Bëjnë shou e ulërasin me gjuhë luftarake se, do e “zhdukin”, “zvarrisin”, se Rama “s’do “gjejë vrimë ku të futet”, a thua se njerëzve iu intereson fundi fizik i Ramës, dhe jo e ardhmja e tyre dhe si do të jetë ajo nëse ikën Rama dhe vjen Salianji me Balliun e Palokën!

Jo se Rama dhe ministrat apo ish-ministrat e tij janë engjëj! Përkundrazi, mbajnë mbi shpinë gjithë mëkatet e një qeverisje që ka ngecur prej kohësh dhe nuk di çfarë të bëjë me pushtetin që ka, se dhe boja e propagandës nuk mban më!

Por kur ti iu nxjerr përballë Salianjin, Balliun, Palokën, apo homologët e tyre të LSI-së, si Tit Vasili, Brahimllarin, Malajn etj, veçse i jep oksigjen një qeverie që me këmbët e veta nuk mbahet dot më!

2 KOMENTE

Leave a Reply to Landi Anulo përgjigjjen