Duke pritur të vdesë dikush, për të ngjallur kufomën Basha!

Nga Mero Baze

Ishte një skenë që më mbeti në mendje në momentet kur protesta kishte degraduar para Kuvendit. Një nga guerilasit që sulmonin policinë me fishekzjarre të rrezikshëm e të ndaluar për përdorim, u plagos dhe kamerat u foksuan tek ai. Poshtë kupës së gjurit po i rridhte gjak dhe dukej se plagosja ishte serioze. Ndërkohë që numuri i policëve të plagosur kishte shkuar në pesë vetë, protestuesi i plagosur rëndë po çohej drejt ambulancës.

Atëherë kamerat u drejtuan nga Lulzim Basha. Ishte më shumë se i qetë. E kthente kokën majtas djathtas me shpresë se mos vinte ndonjë lajm më i fortë, se ai djali i ri që ishte plagosur apo vetëplagosur nga kapsollat e Lulit. Asnjë reagim. Asnjë lëvizje. I vetmi shqetësim që lexohej në tundjen e kokës majtas-djathtas, ishte fakti që ai djali nuk kishte vdekur, por vetëm ishte plagosur. Dukej që ia priste një gjë më të fortë se aq. Më të fortë se plagosja, edhe pse ishte plagosur nga të vetët.

Disa minuta më parë një tjetër protestues, tentuan ta ngjyrosin me gjak, por nuk funksionoi. Ky i dyti ishte plagosur realisht, por përsëri nuk ishte bindës për ta lëvizur nga vendi kryetarin e opozitës dhe për ta ndalur dhunën. Më i shqetësuar ishte nga mos efiçenca e dhunës. I plagosuri me sa duket, duhej i vdekur….!

Kjo është e vetmja gjë që ata po kërkojnë sot në rrugët e Tiranës. Një të vdekur çfardo, një protestues, apo policë, qytetarë të rastit apo politikan. Mjafton të vdesë një.

Në kushtet kur askush nuk po i përfill në ritualin e protestës dhe kur refreni qesharak i rrëzimit të Ramës përsëritet pas çdo këndimi të Himnit të Flamurit, shpresa e heshtur që lexohej sot në sytë e Lulzim Bashës, si pritje e madhe, ishte arkivoli.

Shpresa se dhuna e papërgjegjshme do të prodhojë një arkivol, është e vetmja shpresë.

Paralajmërimet e SHBA për arrestimin e çdokujt që përdor mjete të rrezikshme luftarake kundër policisë, paralajmërimet e shefit të NATO-s, sot në Tiranë, paralajmërimet e Bashkimit Evropian apo OSBE, janë të gjitha një motiv më shumë për Lulzim Bashën dhe Sali Berishën që t’ua kthejnë reston me një arkivol.

Arsyeja është e thjeshtë. Ata nuk flasin dot më me argumente politike për zgjedhjet, se i kanë bojkotuar. Nuk flasin dot më për Parlamentin, se janë zëvendësuar. Nuk flasin dot më për Marrëveshje politike, pasi kanë shpresuar se revolucioni do triumfonte brenda javës. Ata nuk kanë më temë diskutimi me askënd për asgjë. Ata mund të diskutojnë tani e tutje vetëm për ndonjë arkivol dhe atë e duan aty para Parlamentit.

Ndryshe nga kur kanë qenë vetë në pushtet, që të vrisnin e nuk të linin të qaje, tani duan të vrasin vetë dikë e të na ftojnë të qajmë, apo të flasim për të.

Mjerë atij që mund t’i bjerë në pjesë ky fat që Lulzim Basha shpreson se mund ta shpëtojë si politikan. Qetësia me të cilin ai po pret mes kapsollave e flakandanëve të vdesë dikush prej dhunës së tij, është në fakt e gjitha çfarë ai mund ti ofrojë opozitës në këto kohë. Shpresa se një arkivol mund ta çojë drejt pushtetit, është me sa duket e vetmja gjë që pret.

Dhe dikush që mendon se kufoma e një qytetari, mund të ngjallë një kufomë politike, është i destinuar të ngelet kufomë.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU