Një person i shumëkërkuar, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, është arrestuar në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune nga policia e Vlorës, efektivët e repartit RENEA dhe nga forca e posaçme në Policinë e Shtetit.
Operacioni në fjalë u kodua “Hoshtima” dhe gjatë tij u arrestua një 47-vjeçar i dënuar me 25 vjet burg për vrasje, hapi zjarr ndaj forcave të policisë duke u rrezikuar jetën e tyre, por mbetet i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit.
Mëngjesin e sotëm, rreth orës 07:05, duke marrë parasysh rrezikshmërinë e presonit, si dhe informacionet që i shumëkërkuari mbante armë zjarri, forcat speciale RENEA kanë bërë rrethimin e banesës së Xhevahir Jonuzit, 47 vjeç, banues në fshatin Hoshtimë.
Gjatë vendosjes së perimetrit të sigurisë, 47- vjeçari Jonuzi ka parë forcat e policisë dhe ka dalë me vrap nga banesa me armë zjarri pistoletë, të cilën e mbante në dorë.
RENEA i ka bërë thirrje të dorëzohej dhe të hidhte armën e zjarrit, por Jonuzi ka hapur zjarr në drejtim të forcave speciale duke rrezikuar jetën e tyre.
Policia thotë se në proporcion të drejtë me zjarrin e personit, forcat speciale RENEA i janë kundërpërgjigjur për ta neutralizuar dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit Xhevahir Jonuzi mbeti i plagosur në këmbë.
Ekipi i Reneas i ka dhënë ndihmën e parë të plagosurit dhe e ka dërguar menjëherë në spital, ku dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
47-vjeçarin Gjykata e Vlorës e ka dënuar me 25 vite burg për “Vrasje me paramendim”.
Po ndaj tij në vitin 2018, Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.