Dokumentet, ja si Enver Hoxha filloi negociatat me SHBA e Britaninë për njohjen e qeverisë

Dalin në dritë të tjera detaje në periudhën para instalimit të regjimit komunist në Shqipëri. Në disa letërkëmbime mes ambasadorëve të SHBA dhe DASH, tregohen zhvillimet e vitit 1944. Aty thuhet se si Hoxha kërkonte të njihej qeveria e tij. Po ashtu, jepen detaje se si ballistë nisën të arratisen jashtë vendit.

Caserta, 23 tetor 1944

Alexander C. Kirk për sekretarin e shtetit:Nga OSS raportohet se Hoxha është shprehur në favor të kufirit jugor të Shqipërisë të caktuar nga Konferenca e Londrës në 1913. Ai beson se grekët e Shqipërisë duhet të kthehen në Greqi dhe mendon se nuk ka justifikim për të dyshuar se jugu i Shqipërisë është tërësisht shqiptar. Hoxha thotë më tej se shqiptarët do të luftojnë për territorin e tyre nëse është e nevojshme. Nga ana tjetër Hoxha beson se problemi i Kosovës mund të zgjidhet me votë direkte.

Ambasada britanike për Departamentin e Shtetit

Departamenti i Shtetit do të jetë në dijeni se Enver Hoxha ka bërë një deklaratë në 20 tetor në Berat se “qeveria demokratike shqiptare” tashmë është formuar dhe se qeveritë e Britanisë, SHBA, BRSS dhe vendet e tjera të “ligës anti-Fashiste”, do të kërkohet ta njohin atë. Në situatën aktuale konfuze në Shqipëri qeveria Britanike propozon të mos jepet njohja për qeverinë e përkohshme të frontit Çlirimtar dhe duke informuar Departamentin për opinionin e qeverisë sonë jemi udhëzuar të shprehin shpresën tonë që ju do të jeni dakord.

Caserta, 6 nëntor 1944

Alexander G. Kirk për sekretarin e shtetit: Është vendosur se operacionet e forcave Aleate në Shqipëri të kufizohen në dhënien e ndihmave humanitare dhe jo me trupa operacionale. Situata tashmë i ngjan asaj të përshkruar nga Departamenti i Shtetit në dokumentin H 112 me përjashtim se nuk ka rezistencë të armatosur nga bandat rivale. Çështja e njohjes së frontit Partizan si qeveri e përkohshme do të ngrihet së shpejti nëse do të vijohet me planin për ftesën e Hoxhës për diskutim me përfaqësuesit në Itali. Edhe britanikët po e marrin këtë në konsideratë në mënyrë të pavarur nga ajo që mund të jetë vendosur në Moskë për të ardhmen e Shqipërisë. Problemi i shpërndarjes së ndihmave në mungesë të trupave Aleate ka dy alternativa si zgjidhje: 1. Njohjen e Këshillit Partizan si qeverie e përkohshme dhe negocimin e ndihmave me përfaqësues të Hoxhës sipas linjave të marrëveshjes së propozuar jugosllave. Kjo do të thotë se do të ketë vonesa të konsiderueshme në dhënien e ndihmës në një kohë kur ato janë urgjente. 2. Shtyrja e çështjes së njohjes dhe e marrëveshjes së përgjithshme me Hoxhën në favor të dhënies së ndihmës duke u organizuar me grupet lokale. Duke parë komplikacionet që vijnë nga opsioni 1 i cili tashmë favorizohet nga britanikët, unë besoj se duhet të vijojmë me udhëzimin fillestar.

Koloneli McLean, i angazhuar me grupin e Kupit, ka arritur në Bari sipas urdhrave dhe rekomandon që Kupi të evakuohet në Itali për të ruajtur prestigjin britanik, veçanërisht dhe të elementëve pro-britanikë në forcat partizane. Kjo bëhet për të mbrojtur njeriun që ka bashkëpunuar me Aleatët që prej vitit 1940 dhe që ka mbrojtur misionin britanik për të paktën 14 muaj. E vetmja alternativë e Kupit është të tërhiqet në male pro kjo mund të sjellë vazhdim të konfliktit të brendshëm me partizanët. Britanikët kanë evakuar tashmë Said Kryesiu i cili gjithashtu ka qenë në rrezik dhe duhet të shpëtojnë dhe vëllanë e tij Gani së shpejti. McLean thotë se ata të dy, ndryshe nga nacionalistë të tjerë, janë të panjollosur si kolaboracionistë dhe Këshilli Çlirimtar Partizan i konsideron si rivalë të fortë për pushtet, dhe rrjedhimisht janë objektiv parësor eliminimi. Nëse ata evakuohen në Itali, Shqipëria do të mbetet në duar të këshillit partizan pas tërheqjes së nazistëve, teksa dhe grupet e tjera nacionaliste po disintegrohen shpejt dhe janë të trembur për sigurinë e tyre.

Uashington, 9 nëntor 1944

Sekretari i shtetit për Alexander C. Kirk, në Caserta: Departamenti është i interesuar në marrjen e çdo informacioni nga ju ose anëtarë të stafit nga Bari në lidhje me ruajtjen e stabilitetit në kufirin Shqipëri-Greqi, pasi gjermanët të lënë kontrollin te forcat vendore. Siç mund të jeni në dijeni qeveria greke jo vetëm ka bërë deklarata për pretendime të gjera territoriale në jug të Shqipërisë (Epiri i Veriut), por ka kërkuar ta shpallë Shqipërinë “shtet armik ” dhe ka sinjalizuar se kërkon të dërgojë trupa në territoret e kontestuara. Qeveria e SHBA ka bërë të qartë në disa raste se nuk do të ketë ndryshime të kufijve deri në zgjidhjen e përbashkët. Edhe Britania ka thënë se çështja e kufijve të Shqipërisë duhet të zgjidhet nga konferenca e paqes. Ne besojmë se pretendimet greke për jugun e Shqipërisë do të dëgjohen atëherë ndërsa për momentin do të ruhen kufijtë e para-luftës. Ndërkohë vendet në fjalë dhe qytetarët e tyre nuk duhet ë marrin masa për shkeljen e kufijve. Prandaj e shohim të arsyeshme që si forcat e armatosura greke dhe ato shqiptare të ndalohen të kalojnë kufijtë aktualë apo të tentojnë të vrasin minoritetet e kombësive të tjera. Jemi mirënjohës për informacione të tjera mbi është subjekt. Telegramet tuaja të fundit mbi Shqipërinë kanë qenë mjaft të dobishme.

13 nëntor 1944

Alexander C. Kirk për sekretarin e shtetit: Duke iu referuar raportimit të përfaqësuesit Mr. Frederick T. Merrill, në Bari, Itali, një bisedë është bërë me Abas Kupi më 10 nëntor 1944 mbi shembjen e forcave anti-partizane në Shqipëri: Pranverën e shkuar forcat britanike panë ngritjen e fuqisë së forcave partizane në Shqipëri e cila ka prishura balancën e pushtetit në vend duke rrezikuar të sjellë në pushtete një grupim më miqësor ndaj Rusisë sesa ndaj Britanisë. Prej vjeshtës së shkuar oficerët britanikë të ndërlidhjes kanë qenë prezentë në të gjitha zonat e vendit, por shumicën e ndihmës në monedha floriri ose premtime ia kanë dhënë forcave nacionaliste, të cilët më parë kishin qenë kryetarë fisnorë dhe politikanët sundues të vendit. Politika e ndihmës për grupet që luftonin gjermanët u aplikua gradualisht (dhe ndoshta pa shumë dëshirë fillimisht) edhe ndaj ushtrisë çlirimtare partizane, e cila kulminoi në marrëveshjen për koordinim kundër gjermanëve dhe dhënien e ndihmave ushtarake, e nënshkruar në Bari të Italisë në gusht 1944. Por për të kundër balancuar fuqinë në rritje të lëvizjes partizane, zyra britanike vendosi prillin e kaluar të krijojë një grup nacionalist rreth Abas Kupit, me të cilin ato kanë kontaktuar që prej vitit 1940 një kohë kjo kur ata nuk ishin të njollosur me akuza bashkëpunumi me gjermanët.

Një bllok i tillë pas luftës së suksesshme kundër gjermanëve me mbështetjen e britanikëve tërhoqi mbështetje dhe nga grupet partizane dhe nisi të konceptohet si qeveria e ardhshme e Shqipërisë. Por për fat të keq për britanikët, ata nënvlerësuan mbështetjen e gjerë dhe efektivitetin e organizatave partizane si dhe mbi vlerësuan forcën e grupeve të Kupit. Britanikët besuan se mbështetësit e Kupit dhe Lëvizjes së tij të Legalitetiti do t’i rezistonin premtimeve gjermane për armë dhe pushtet, duke u bashkuar rreth një programi konstruktiv dhe duke lënë mënjanë ambiciet e tyre personale. Por nuk kishte asgjë për të mbajtur bashkë mbështetjen e tyre përveç ndihmave britanike. Tendencat e grupeve nacionaliste për të bashkëpunuar me gjermanët dhe mungesa e koordinimit mes tyre, shkatërruan çdo shpresë për formimin e një blloku. Gjithashtu sulmet djallëzore të forcave partizane kundër Kupit në momentin që ai ishte duke sulmuar gjermanët tregojnë për rrezikun e luftës civile në rast se Kupit i jepen më tej ndihma ushtarake e financiare. Pas disa muajsh hezitimi, gjatë të cilave britanikët vazhduan të mbanin oficerët e tyre më forcat e Kupit, duke shkaktuar nervozizëm te partizanët, erdhën nga Londra direktivat për tërheqjen e mbështetjes dhe mbylljen e misionit. U tërhoqën oficerët që ishin caktuar me Gani Kryeziu, kreun shqiptar të veriut, edhe pse të gjitha burimet pranojnë se ai ka luftuar kundër gjermanëve.

Kjo solli shembjen e të gjithë opozicionit politik kundër partizanëve komunistë, pasi kjo gjithmonë varet nga mbështetja ose e gjermanëve ose e britanikëve. Kupi dhe Said Kreyziu tashmë janë refugjatë politikë në Itali, ndërsa po bëhen tentativa për të e vakuar dhe Ganiun. Ballistët,të cilët kanë bashkëpunuar në grup me gjermanët, janë duke u larguar dhe nëse kapen do të vriten. E vetmja rezistencë po bëhet në rajonet rreth Shkodrës në veri të Shqipërisë, por nuk besohet se ata do të rezistojnë ndaj forcave partizane. Në bisedën që pata dje me Abas Kupi ai pranoi se nuk ka mundësi për të formuar një opozitë të besueshme kundër forcave partizane pa mbështetjen e forcave Aleate. Ai tha se beson se forcat partizane dominohen plotësisht nga komunistët dhe o marrin urdhra nga Moska me frymëzimin e Titos së Jugosllavisë. Ai pranon argumentin se armët duhet të jepen për ata që vrasin gjermanët por beson se partizanët i janë shmangur gjermanëve kur ka pasur rrezik dhe se kontributi i tyre në luftë ka qenë shumë i vogël. Prandaj ai beson se është e palogjikshme të vësh armët në duart e atyre që duan të eliminojnë këdo që shikon nga Perëndimi për të ardhmen dhe jo nga Lindja. A tha se do të preferonte të shihte vendosjen e një sfere influence në Ballkan ku Britanikët të ishin ata që të vendosnin pushtetin. Kupi thotë se fshatarët dhe mbështetësit e tij në zonat jugore të Shqipërisë nuk do të pranojnë autoritetin e partizanëve ose të “kujtdo që ka armë”. Konkluzionet kryesore të bisedës me Kupi dhe grupeve të tjera që kanë tentuar dhe dështuar në krijimin e bllokut nacionalist është për fat të keq se:

1.Forcat partizane dominojnë në më shumë se gjysmën e Shqipërisë dhe së shpejti do të dominojnë të gjithën.

2.Kjo do të arrihet me anë të dhunës së pamëshirshme dhe kërcënimeve për dhunë, si dhe me eliminimin e kundërshtarëve politikë. Kjo sepse shumica tashmë e dinë se organizata ka mbështetjen si të sovjetikëve dhe kohët e fundit dhe të britanikëve.

3.Qeveria e ardhshme do të kontrollohet nga komunistët dhe do të ndjekë linjën e Titos për Ballkanin jugor.

4.Për britanikët nuk ka mbetur asgjë për të bërë por të njohin këtë qeveri dhe të hiqen sikur e pëlqejnë.

/a.rada

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU