Kandidati i koalicionit të majtë “Aleanca për Shqipërinë Europiane” Muharem Rama zhvilloi takimet elektorale në njësitë administrative Luzni e Lurë dhe fshatrat Pilaf, Vakuf e Brezhdan.
Kandidati Rama ishte konkret në premtimet e tij gjatë ndalesës në fshatrat Vakuf e Pilaf ku u ndal tek infrastruktura dhe pastrimi.
“E di që keni probleme me ujin e pijshëm. Ujësjellësi i Sofranikës ka ardhur deri në Vakuf, do të bëjmë rrjetin e brendshëm të gjithë Vakufit nga e para. Problem ka edhe infrastruktura rrugore në Vakufin e poshtëm. Pas fitores sime në krye të bashkisë së Dibrës, edhe këtë rrugë do ta asfaltojmë sipas standardeve ndërkombëtare. Tjetër problem është ai i mbetjeve urbane dhe plehrave. Ne kemi tashmë një program të qartë me një kompani zviceriane për sistemimin dhe pajisjen e gjithë Dibrës me kosha e makineri moderne për largimin e plehrave dhe për ti çuar në landfillin e Peshkopisë”, u shpreh kandidati Rama.
Në takimin e zhvilluar në Brezhdan, kordinatori socialist për Qarkun e Dibrës Damian Gjiknuri tha se kandidatura e Ramës është përtej ndarjeve politike.
“Ky njeri është përtej ndarjeve politike, ky njeri është si për të djathtën si për të majtën. Pse?! Sepse është doktori që ka kuruar hallet e dibranëve dhe ua di hallet dibranëve, ndryshe nga Partia Demokratike e cila ka sjellë një kandidat për hallet e SHQUP-it për hallet e qeverisë. Po e thonë vetë ata kur pranojnë se Dibrën e kanë për test elektoral të vitit 2017”, sqaroi Gjiknuri.
Takimet elektorale vazhduan më tej me bashkëbisedimin me banorët e njësisë administrative të Luznisë dhe me ata të njësisë së Lurës.