Cili ishte itinerari i mjetit ku u torturua e u vra Çollaku, prokuroria ekspertizë navigatorit

Prokuroria ka çuar për ekspertizë navigatorin e makinës, e cila dyshohet se u përdor në vrasjen e Gazmend Çollakut, tek e cila më herët u gjet edhe një njollë gjaku. Burime nga grupi hetimor thonë se me këtë ekspertizë duan të mësojnë trajektoren që ajo ka përshkuar shkruan “BalkanWeb”.

Sipas hetuesve, deri më tani dyshohet se itinerari i ndjekur nga autorët e mundshëm të krimit besohet se ka qenë ai nga Durrësi, nëpërmjet autostradës, ndërsa janë kthyer në nënkalimin e Vorës për të marrë më pas në drejtim të fshatit Budull, e për të përfunduar të Murqin të ish- komunës Mazhe, por me kryerjen e ekspertizës pritet të saktësohet.

Kujtojmë që për vrasjen e Gazmend Çollakut mbahet në burg Denis Shtraza, ndërsa i dyshuar është edhe oficeri i policisë Ervin Dalipaj i cili jeton në arrati.

KUSH ESHTE DENIS SHTRAZA

Në vitin 2009, 33-vjeçari Denis Shtraza u ekstradua nga Gjermania pasi akuzohej për dy plagosje në Durrës. Në shkurt të vitit 2013 ai u plagos rëndë në qendër të Durrësit, ndërsa në prill të vitit 2014 u arrestua pasi nën efektin e alkoolit shkatërroi lokalin e një shtetasi. Shtraza njihet edhe si një njeri me lidhje të forta me persona të tjerë të inkriminuar. Burime të BalkanËeb bëjnë me dije gjithashtu se Shtraza është pjesë e të njëjtës bandë të trafikimit të lëndëve narkotike që është edhe Emiljano Shullazi. Njëkohësisht Shtraza është edhe mik i Shullazit.

VRASJA E ÇOLLAKUT

Fillimisht u ngritën dyshime se vrasja e Çollakut mund të kishte lidhje me vrasjen e dy të rinjve te Torra në Durrës, afro dy muaj më parë, apo dhe me përfshirjen e tij në një rrjet të trafikut të drogës. Por së fundmi, ka dyshime se vrasja ka për motiv një gjobë që kap shifrën e të paktën 800 mijë eurove vënë ndaj një biznesi në qytetin bregdetar.

Çollaku u mor peng më 5 janar në mes të Durrësit nga katër persona, që mbanin uniforma të ngjashme me të policisë. Pengmarrësit udhëtonin me një makinë “Audi” me targa gjermane. Policia e ndoqi mjetin deri në Marikaj, por më pas humbi gjurmët. Gazmend Çollaku u gjet disa orë më vonë, i vrarë dhe i hedhur anë rrugës në fshatin Murqin Krujë. Viktima ishte i lidhur këmbë e duar dhe pasi ishte keqtrajtuar, ishte qëlluar me disa plumba në kokë.

Mënyra se si është ekzekutuar, fakti që u gjet i lidhur në këmbë e duar, për hetuesit është një mesazh i fortë që vrasësit kanë dashur të dërgojnë. Ndërkaq, ka dyshime të forta se Gazmend Çollaku, i cili lëvizte me një makinë të blinduar, mund të jetë “marrë në pyetje” nga vrasësit, përpara se të ekzekutohej me katër plumba në kokë. Këto dyshime kanë lindur pasi Çollaku rezulton të jetë keqtrajtuar, madje i janë thyer këmbë e duar përpara se të qëllohej me plumba. Me sa duket, autorët kanë dashur të mësojnë prej tij të dhëna që mund t’u shërbenin për të arritur qëllimet e tyre kriminale. Këto dyshime bëhen edhe më të forta, tashmë që në dritë ka dalë një pistë e re në të cilën janë përqendruar hetimet./a.m.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU