Bregu: Kriza e ka rënduar situatën e negociatave, në 2019 nuk duhet të kishte sjellje politike si në vitin 1997

Në intervistën për emisionin “I Ftuari” me Endri Xhafon në A2 CNN, Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, deklaroi se politika shqiptare i jep “më tepër rëndësi zgjidhjes politike sesa zgjidhjes institucionale”.

Kur u pyet nëse kriza aktuale do të zgjidhet nga jashtë, ashtu siç erdhi në vitin 2017, Bregu theksoi: “Në vitin 2016 ishte situatë tjetër, edhe viti 2017 ishte situatë tjetër. Ne e krijojmë precedentin vetë dhe pastaj bëhemi keq kur ai precedent që e krijojmë duke i dhënë më tepër rëndësi zgjidhjes politike sesa zgjidhjes institucionale na kthehet pastaj në “boomerang” për herën pasuese dhe ja ku jemi pas dy vitesh thuajse në të njëjtën situatë të ngërçit politik”.

Jam shumë e shqetësuar dhe ndihem në siklet kur pyetem për Shqipërinë në çdo takim që kam. Uroja shumë që Shqipëria të mos kishte në vitin 2019 të njëjtën mungesë të kulturës demokratike dhe sjellje politike si në vitin 1997 dhe 1998”, u shpreh Majlinda Bregu.

Ish-ministja e integrimit deklaroi se kriza politike në Shqipëri e ka rënduar në mënyrë katastrofike situatën e hapjes së negociatave të vendit tonë me Bashkimin Evropian.

“E kam thënë gjithmonë që e shikoja shumë të vështirë qershorin për hapjen e negociatave, pasi ishin zgjedhjet në Evropë, Brexit-i… Gjasat ishin të vështira nisur nga rrethanat aktuale ku është Evropa. Unë besoj fuqishëm se çelja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në rast se deri dje ishte një çështje ku 10 mendje mund të mos binin dakord, sot është domosdoshmëri. Shqipëria ka pasur vlerësim pozitiv për angazhimin në Reformën e Drejtësisë. Është një nga reformat më të vështira dhe vendit tonë i takonte një lloj vlerësimi. Por, situata politike në Shqipëri e ka rënduar në mënyrë katastrofike situatën”, tha Bregu.

Po japim për të disatën herë imazhin që ne nuk jemi në gjendje që të zgjidhim konflikte politike së brendshmi, pa shkuar në limite dhe pa kërkuar ndërhyrje nga të tjerët”, shtoi Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.

g.kosovari

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU