Ajo që do të luhet mbrëmjen e sotme (02:30) do të jetë një ndeshje e veçantë për Marcelo Moreno-n. Një sfidë me shije unike dhe me emocione të shumëfishta, një përballje mes së shkuarës dhe së tashmes, mes historisë dhe zgjedhjeve të tij.
I lindur nga një mama boliviane dhe një baba brazilian, ai i ka hedhur hapat e parë si futbollist te të rinjtë e Brazilit, por debutimin e ka bërë më ekipin e parë të Bolivisë. Mbrëmja e sotme do të jetë shumë speciale për të:
“Ndeshja në Brazil kundër Brazilit përfaqëson Kupën e Amerikës së ëndrrave për mua. Gruaja ime është braziliane, babai im është brazilian dhe kam luajtur dhe shënuar për të rinjtë e Brazilit. Jam shumë i lidhur me Brazilin. Është shumë i shtrenjtë për mua, ka qenë vendi që më ka hapur dyert e karrierës në futboll dhe unë jam përgatitur gjithë vitin për këtë turne”.
Marcelo Martins Moreno ka lindur më 18 qershor 1987 në atë që nga vitet ’90 është qyteti më i populluar i Bolivisë. Pothuajse 400 metra mbi nivelin e detit dhe atdheu i Oriente Petrolero, skuadra ku Moreno ka hedhur hapat e parë me një top në këmbë, para se të zhvendosej në vendlindjen e babait, Vitoria.
Ka qenë fillimi i eksperiencës braziliane dhe i endjes së tij të pareshtur nëpër botë. Pas aventurës te Cruzeiro mes 2007-ës dhe 2008-ës, ka qenë Shakhtar Donetsk që e ka marrë në Europë, një skuadër që ka nuhatje për talente brazilianë (ose pothuajse të tillë).
Gjithsesi, në arkivin e sukseseve të Shakhtari-t, për sa i takon zbulimeve të talenteve, blerja e Moreno-s rezulton një dështim. Ai nuk përshtatet, nuk e gjen veten dhe nuk arrin të shprehë talentin e tij (të padiskutueshëm).
Eksperienca e tij në Europë ka vazhduar pa sukses mes Werder Bremen-it, Wigan-it dhe përsëri Shaktar-it. Hidhërimi për rendimentin zhgënjyes i ka shtuar dëshirën për t’u kthyer aty ku gjithçka ka filluar. Kështu, pasi përfundimit të huazimit dhe kthimit në Ukrainë, Moreno është kthyer në Brazil.
Kthimi në atdheun e futbollit ka qenë vendimi i duhur. Moreno është kthyer të ëndërrojë dhe shënojë me Gremio-n, por situata vështirësohet nga disa çmenduri të vogla të tijat, që ndikojnë te marrëdhënia me klubin.
Mbi të gjitha, kartoni i kuq i marrë pas 43 sekondash në ndeshjen kundër Fluminense-s, në të cilën ka goditur më bërryl një kundërshtar pak metra larg arbitrit. Ai humb arsyen, klubi gjithashtu dhe pelegrinazhi rifillon nga Cruzeiro, Flamengo dhe përsëri Gremio, para se të zbarkojë përfundimisht në kampionatin kinez, ku luan akoma.
“Jam 31 vjeç dhe jam tre gola larg titullit të golashënuesit më të mirë të historisë së Bolivisë. Kam akoma shumë për të dhënë. Objektivi im i madh është ta kualifikoj Bolivinë te Botërori i ardhshëm”, ka thënë Moreno.
Vitet kanë filluar të ndihen, por shpresa dhe vendosmëria janë karakteristikat e tij dalluese. Dëshira për t’i dhuruar vendit të tij një gëzim të papritur është shumë i madh. Dhe ku i dihet, kjo mund të jetë kthesa në historinë e çuditshme (dhe të çmendur) te Marcelo Moreno. telesport
g.kosovari