Mediat ndërkombëtare i kanë bërë jehonë protestës së mbajtur nga opozita përpara Kryeministrisë.
Midis tyre BBC, Reuters, Deutsche Welle, Washington Post, New York Times, Fox News, Associated Press dhe VOA raportuan mbi protestën e mbrëmjes së të shtunës.
“Mijëra shqiptarë protestuan kundër kryeministrit Edi Rama, duke hedhur molotov në zyrën e tij,”-shkroi BBC News.
Ndërsa shtoi: “Gjatë tre muajve të fundit ka pasur demostrata antiqeveritare në Shqipëri. Rama përballet me akuzat për vjedhje të votave dhe korrupsion. Lideri i opozitës Lulzim Bashës i bëri thirrje turmave të vazhdojnë protestat derisa Rama të largohet nga pushteti.”
Ndërsa Reuters raportoi: “Me thirrjet ‘Duam një Shqipëria evropiane’, slogani i protestave pro-demokracisë kur vendi doli nga komunizmi në 1990, protestuesit ripërsëritën thirrje për zgjedhje të parakohshme pasi ligjvënnësit e tyre dogjën mandatin e parlamentit.”
Edhe Deutsche Welle shkroi: “Një grup protestuesish, përfshirë persona të maskuar, hodhën molotov, fishekzjarre dhe objekte të tjera në hyrjen e ndërtesës kryesore të qeverisë në kryeqytetin shqiptar. Policia hodhi gaz lotsjellës kur një numër protestuesish depërtuan kordonin.”
Gazeta amerikane “New York Times” theksonte në lajmin e saj se protestuesit u përpoqën të thyejnë dyert e ndërtesës së qeverisë së Shqipërisë.
“Përleshjet me Policinë në protestën e opozitës shqiptare”, ishte titulli i gazetës amerikane “Washington Post”, që njoftonte publikun në Shtetet e Bashkuara në lidhje me demonstratën e sotme.
Duke iu referuar agjencisë amerikane të lajmeve “Associated Press”, “Washington Post” shkruan se mijëra mbështetës të opozitës shqiptare, të shtunën, u përleshën me Policinë në një tubim antiqeveritar për të protestuar ndaj asaj që ata thonë se është një kabinet i korruptuar dhe joefikas, duke kërkuar dorëheqjen e saj dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.
g.kosovari