Bimët mjekësore “Made in Albania”, më të kërkuarat në tregun amerikan

Bimët mjekësore “Made in Albania” zënë një vend të rëndësishëm në eksportet shqiptare drejt tregjeve të huaja, por ato dominojnë më së shumti në tregun amerikan.

Ekspertë të këtij sektori shprehen se bimët mjekësore shqiptare vijojnë prej disa vitesh të jenë ndër më të kërkuarat në tregjet e huaja. Rreth 70% e sherebelës që hyn në SHBA është e markës “Made in Albania”.

Shqipëria ka potenciale dhe resurse natyrore të veçanta dhe është me florë të larmishme e të pastër, ndaj dhe bimët mjekësore janë jo vetëm të kërkuara në treg, por edhe një burim i rëndësishëm punësimi dhe sigurimi të ardhurash.

Sipas tyre, tregu vazhdon të ketë sfidë standardet e grumbullimit dhe paketimit të bimëve, për të cilat komunitetit i biznesit të këtij sektori po bën përpjekje mbështetur edhe nga grantet që jep qeveria të përmirësojë teknologjinë e grumbullimit dhe përpunimit të tyre duke zgjeruar kështu tregjet eksportuese.

Eksportet e bimëve mjekësore kanë shënuar rritje të vazhdueshme të vlerës ndër vite, duke ruajtur një peshë mesatare prej 24-28% të totalit të eksporteve agroushqimore. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, vitin e kaluar, shitjet e bimëve mjekësore jashtë vendit rezultuan 3.1 miliardë lekë ose 11% më shumë se një vit më parë.

Sektori i bimëve mjekësore është zhvilluar për shkak të një rrjeti të gjerë të shtrirë në të gjithë vendin.

Për shumë zona, verilindore e juglindore, bimët janë e vetmja mundësi të ardhurash, të cilat sigurohen në sezone të caktuar të vitit. Puna me bimët mjekësore siguron rreth 35% të ardhurave për një familjeje. Ndërkohë që në Shqipëri rriten specie autoktone të bimëve mjekësore, ku 15% e 360 specieve bimore janë mjekësore, aromatike dhe erëza.

Sfida e biznesit që operon në këtë sektor, është rritja e cilësisë dhe standardeve më të  mira të grumbullimit dhe paketimit për eksport.

/a.rada

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU