Bill Klinton në Prishtinë: Krenar me atë që bëra për Kosovën

Ish presidenti amerikan, Bill Clinton, tha të martën në Prishtinë se Kosova meriton të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke shprehur bindjen se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë përkrahjen e plotë për Kosovën në rrugën e saj përpara.

 

“Mendoj se Kosova e meriton të jetë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në çdo organizatë tjetër që mund të anëtarësohet një shtet i pavarur. Unë kam qenë shumë i lumtur që pasardhësi im presidenti Bush njohu Kosovën dhe pavarësinë e saj. Në një mjedis të paqartë politik në Amerikë, Kosova duket të jetë e vetmja temë për të cilën pajtohen të gjithë amerikanët prandaj ju uroj sukses dhe besoj se vendi im do të vazhdojë të ju mbështesë në përparimin tuaj”, tha ish presidenti Clinton.

Ai i bëri këto komente pas takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e dekoroi ish presidentin amerikan me “Urdhrin e Lirisë” për kontributin e tij në çlirimin e Kosovës.

Ish presidenti Clinton tha se mbarë bota mund të marrë Kosovën si shembull të demokracisë dhe përkushtimit për të përparuar dhe jetuar në paqe me fqinjët.

“Kjo është diçka për të cilën të gjitha shtetet duhet të punojnë brenda dhe jashtë kufijve të tyre. Mendoj se ju e keni rastin të vendosni edhe një shembull të ri për botën edhe për njëzet vjetët e ardhshme. Do të jem gjithmonë krenar për faktin se kam qenë president i Shteteve të Bashkuara në kohën kur juve ju duhej dikush që do të qëndronte kundër spastrimit etnik, dëbimit të njerëzve nga shtëpitë e tyre”, tha ish presidenti amerikan.

Ai u prit edhe nga kryeministri i Kosovës, Ramush Hardinaj, i cili pas takimit shkroi ne rrjetet sociale: “Ju na ndihmuat ta fitojmë luftën dhe bashkë e ndërtuam paqen! Mirë se erdhe në shtëpinë tënde dhe te populli në zemrat e të cilit ju keni hyrë si njeriu më i dashur, President Bill Clinton. Falë vendosmërisë, humanizmit dhe guximit tuaj, ne jetësuam të drejtën tonë për liri dhe demokraci dhe ndërtuam shtetin e Kosovës! Falë kësaj kthese historike, fëmijët tanë sot jetojnë të lirë. Të lirë për të pasur jetë, për të pasur ëndrra, për të pasur shtetin e tyre, Kosovën! President Clinton, faleminderit dhe përjetë mirënjohës për ju dhe popullin Tuaj”.

Ish presidenti Clinton dhe ish sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, po qëndrojnë në Kosovë për të marrë pjesë në veprimtaritë me të cilat pritet të shënohet 20 vjetori i hyrjes së trupave të NATO-s, që i dhanë fund luftës gati dyvjeçare dhe administrimit serb të Kosovës.

Roli i të dy zyrtarëve amerikanë vlerësohet vendimtar për ndërhyrjen e NATO-s 20 vjet më parë dhe hapjen e rrugës për pavarësinë e Kosovës.

“Jam i nderuar të kthehem në Kosovë për të kremtuar 20 vjet paqe – një arritje e qytetarëve të Kosovës që duhet të kremtohet jo vetëm në këtë përvjetor, por çdo ditë”, shkroi presidenti Clinton në rrjetet sociale.

Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe shefi i diplomacisë së Kosovës, Behgjet Pacolli pritën ish presidentin Clinton në aeroportin e Prishtinës.

“Ishte nder dhe privilegj i madh ta mirëpres ish-Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton, në Kosovën e lirë, të pavarur dhe demokratike. Në kohën më të errët të historisë moderne të vendit tonë, vendosmëria dhe guximi i Presidentit Klinton ishin vendimtare për t’i dhënë fund luftës në Kosovë dhe për t’ia kthyer lirinë një populli të tërë. Vendimi i Presidentit Klinton për të mbështetur fushatën e NATO-së në dhënien fund luftës në Kosovë ndaloi një katastrofë njerëzore që po merrte përmasa gjithnjë e më të mëdha në Ballkan. Lidershipi i Presidentit Klinton ndryshoi kursin e historisë së Kosovës dhe u bë garantues për rivendosjen paqes dhe të stabilitetit në të gjithë rajonin. Mbështetja e palëkundur e tij për Kosovën dhe popullin e saj është simbol i miqësisë dhe aleancës së fuqishme të Shteteve të Bashkuara me Kosovën! Përjetësisht mirënjohës!”, shkroi në rrjetet sociale ish presidentja Jahjaga.

Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, shkroi se “Liria dhe Pavarësia jonë është e lidhur ngushtë me emrin e njeriut që sot po viziton Republikën tonë. Presidenti Klinton do të jetë i nderuar për jetë e mot nga Kosova”.

Ish presidentja Jahjaga, priti ne aeroportin e Prishtinës edhe ish sekretaren Albright.

“Jam krenare që, njëzet vite pas çlirimit, të mirëpres në Kosovë ish-Sekretaren Amerikane të Shtetit, Madeline Albright- njërën nga kontribuueset më të fuqishme në lirinë dhe pavarësinë tonë. Vendosmëria dhe përkushtimi i Sekretarss Albright për ta ndalur gjenocidin në Kosovë dhe për t’ia kthyer lirinë dhe shpresën një populli të shtypur ishin kruciale për të ardhmen e popullit tonë. Sekretarja Albright, e cila ishte e pakompromis ndaj dhunës që regjimi i Millosheviqit po ushtronte në Kosovë, sot erdhi në një Kosovë që kultivon vlerat për të cilat ajo është angazhuar- lirinë, demokracinë, tolerancën dhe paqen”, shkroi ajo.

Viti 2019 në Kosovë është shpallur vit i NATO-s në shenjë nderimi për ndërhyrjen e saj 20 vjet më parë.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU