Bill Clinton nderohet me ‘Urdhrin e Lirisë’ në Kosovë

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, ka mbërritur në Prishtinë për të marrë pjesë në ceremonitë festive që do zhvillohen me rastin e 20 vjetorit të çlirimit dhe hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.

Ndërsa ka ecur në këmbë përgjatë Sheshit ‘Skenderbeu’ dhe është përshëndetur nga qytetarë të shumtë, në presidencën e Kosovës, nderuar nga garda e Republikës, miku i madh, ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton është pritur nga Presidenti Hashim Thaçi.

Në fjalën e mirëseardhjes Presidenti Thaçi falenderoi mikun e shtrenjtë në emër të të gjitha institucioneve të Kosovës  “për vendimin e drejtë për ndërhyrje ushtarake për çlirimin nga represioni serb, vendim që ndikoi në nisjen e një jete të re në Kosovë”.

“Sot pas 20 vitesh, Kosova është e pavarur dhe unë jam shumë mirënjohjes që gjatë këtij udhëtimi kemi qenë bashkë. Mbështetja juaj ka qenë jetike për lirinë dhe pavarësinë, por edhe tashmë në udhëtimin tonë euroatlantik” u shpreh Presidenti Thaçi. “Duke u bazuar në kompetencat  e mija si president i Kosovës,  por edhe si mik i juaji sot në emër të institucioneve të Kosovës ju akordoi  ‘Urdhrin e Lirisë’ dhe nuk ka çmim që mund të shpërblej kontributin tuaj”

Ish Presidenti amerikan, i prekur nga konsideratat, u shpreh se: “Mes jush ndihem si në familjen time” si dhe falenderoi Presidentin dhe insitucionet e shtetit të kosovës për vlerësimin. Gjithashtu ish presidenti amerikan tha se Kosova është shembull i demokracisë dhe përkushtimit për të rritur dhe për të jetuar në paqe me fqinjët. Kosova meriton të jetë në Unionin Evropian dhe në NATO si shtet  i pavarur”.

Bill Clinton, presidenti i 42-të i SHBA, ishte në krye të Shtëpisë së Bardhë në kohën e çlirimit të Kosovës. Ai ka qenë një nga advokuesit më të fortë për përfundimin e konfliktit me Serbinë dhe aktori kryesorë në vendimin për bombardimin e ish-Jugosllavisë nga Aleanca Veriatlantike NATO  dhe lindjen e shteti të ri të Kosovës.(shqiptarja)/l.m

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU