Së paku 14 persona kanë humbur jetën dhe mbi 50 të tjerë kanë mbetur të plagosur, si pasojë e shembjes së një tende, gjatë një festivali fetar në veri të Indisë.
Shumë prej viktimave janë të moshuar dhe fëmijë të vegjël, të pazotët për tu larguar gjatë shembjes së ndodhur pasditen e së dielës.
Ndërkohë disa persona i zuri korrenti si pasojë e shkëputjes së kavove elektrike.
Kryeministri indian Narendra Modi shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave, duke e cilësuar si fatkeqësi.
Shkak për ngjarjen e rëndë u bënë erërat e forta dhe shirat e rrëmbyer që goditën zonën e Rajastan, shkruan noa.al.
Në momentin e ngjarjes në tendë ishin mbledhur mbi 300 besimtarë, të cilët merrnin pjesë në eventin fetar që mbahej pranë tempullit të ‘Rani Bhatinyani’.