Bie alarmi për sulme terroriste, “zbuten” masat e sigurisë

    Prej ditës së mërkurë (2 dhjetor) në rrugët e Tiranës, nuk qarkullojnë më efektivë të policisë me kallashnikov. Pas dy javësh të alarmit për sigurinë në “vijën e kuqe” policia heq nga terreni masat e ‘dukshme’. Sulmet terroriste të 13 nëntorit në Paris dhe kërcënimet ndaj Evropës ngritën në gatishmëri edhe kryeqytetin shqiptar, ku policia doli në terren dhe me kallashnikov për t’i bërë pararojë rrezikut të mundshëm nga ISIS.

    Ky fakt konfirmohet për Shqiptarja.com nga burime të Policisë së Shtetit, të cilët saktësuan se nuk është ulur vëmendja për parandalimin e veprimeve që mund të kërcënojnë sigurinë në vend, pasi shërbimet e Anti-terrorit dhe të Policisë Kriminale, janë shtuar. Bëhet fjalë vetëm për heqjen e shërbimeve të dukshme në terren, siç ishin policët me kallashnikov që qarkullonin në zonat e mbipopulluara të kryeqytetit, vendim ky i marrë me urdhër të kryepolicit Haki Çako.

    Edhe pse zyrtarisht nuk u fol për kërcënim konkret ndaj vendit tonë, ishin Shërbimet Sekrete të cilat siç citonin mediat, kishin sinjale se Shqipëria mund të ishte objektiv i sulmeve të militantëve të ISIS.

    Zyrtarët e shtetit, si ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe ai i Drejtësisë Ylli Manjani deklaruan më herët se Shqipëria nuk është imune ndaj sulmeve të mundshme, përsa kohë vendi ynë është radhitur në aleancën ndërkombëtare kundër ISIS-it.

    S'KA KOMENTE

    PËRGJIGJU