Ish-kryeministri Sali Berisha në intervistën e dhënë për FAX News, ka sulmuar ashpër eurodeputetin dhe raportuesin për Shqipërinë, Knut Fleckenstein.
Sipas tij, është pikërisht ky i fundit ai që qendron pas raportimeve për financimet ruse të PD-së.
Sipas Berishës, eurodeputeti gjerman ka mbledhur 5 shoqata sorosiane duke u thënë se ‘ato deklarata që bën Berisha kundër Soros, e shtynë rusët’.
“Kush i fryn fushatës pro ruse? Eshtë Soros një nga më kryesorët. Sepse Soros, për të justifikuar sulmet e egra që i bëhen, thotë se këto m’i nxit Putin.
Nga i di unë këto? Po jua tregoj. Eshtë një deputet gjerman që quhet Fleckenstein. Kam patur muhabet me të dhe prapë ruaj një lloj respekti.
Ky vjen një ditë në Tiranë dhe deklaron se Berisha me këto deklaratat që bën për Soros, është e habitshme, se ai është personalitet i fortë dhe jo i dobët, që të bëj deklarata të tilla.
Ky kishte dalë në listën e konfidentëve të Soros në Parlamentin Europian, dhe unë i përgjigjem dhe i them se Georgen mik mbaje, por mos e dëgjo.
Ky thërret dhe bën një takim me pesë shoqata të shoqërisë civile, që të pesta sorosiane, dhe u thotë të mos bëhen merak se ato deklarata që bën Berisha kundër Soros e shtynë rusët.
Pra çfarë kuptova unë me këtë. Kuptova që kjo ishte një stisje sorosiane për të mbuluar veprimtaritë e tij antidemokratike, që ai zhvillon në vendet ish-komuniste”, tha Berisha.
Ai akuzoi dhe revistën amerikane ‘Mother Jones’, si të financuar nga Soros dhe që duhet hedhur në gjyq.
“Problemi është se ‘Mother Jones’ është një gazetë e financuar nga Soros, e cila mendoj unë se duhet hedhur në gjyq. Duhet konsultuar me juristë të shquar amerikanë dhe në rast se rezulton se mund të paditet për shpifje, ajo meriton të shkojë në gjykatë. Byroja federale dhe prokuroria të bëjnë hetimet më të thelluara dhe do dalë prapë se PD nuk ka marrë asnjë qindarkë nga kompani ruse, do dalë se PD nuk ka patur asnjë kontratë apo kontakt me kompani ruse dhe shërbimet e tyre. Se çfarë mund të jetë thurur ato pastaj hetimi do i sqarojë dhe PD është e interesuar për hetimin”, tha Berisha./a.m.