Deputeti socialist Ilir Beqaj foli në studion e emisionit ‘Java në RTSH’ për reformat e qeverisë duke bërë edhe një bilanc, sipas tij, të arritjeve dhe sfidave.
Ish-ministri i Shëndetësisë tha se sektori që ka drejtuar dikur sot është shumë herë më i mirë sesa në kohën e paraardhësve në qeverisje.
Beqaj e cilësoi uljen e çmimit të ilaçeve si një nga arritjet më të rëndësishme dhe më thelbësore të qeverisjes socialiste.
“Unë nuk mendoj se kam gjëra të bëra keq kur drejtoja Shëndetësinë. Nëse do të rikthehesha, do të bëja 99% ato gjëra. Ndjej përgjegjësi dhe pendesë për gjërat që nuk arrita t’i bëja kur isha ministër dhe që figuronin në programin tonë politik që në vitin 2011. Bëhet fjalë për sistemin e llogarive kombëtare të shëndetit, regjistrat e sëmundjeve dhe kostimin e kujdesit shëndetësor” – tha Ilir Beqaj.
Ai shtoi se edhe mbyllja e kioskave universitare, reforma në energji apo lufta kundër lojërave të fatit renditen për nga rëndësia njësoj si ulja e çmimit të barnave. Këto reforma, sipas Beqajt, tregojnë suksesin e qeverisjës 6-vjeçare të Partisë Socialiste.