Shkëlzen Gashi, golashënuesi më i mirë i kampionatit zviceran në dy sezonet e fundit, ka marrë një vendim befasues për karrierën. Sulmuesi është larguar nga Bazeli për t’u transferuar në SHBA, te Colorado Rapids. Largimi nga kampionët e Zvicrës ishte një zgjedhje e pritshme, pasi nuk po gjente hapësira nën trajnerin e ri, por spekulohej vazhdimisht se mund të ribashkohej me trajnerin Paulo Sousa, tani te Fiorentina, ku kërkohet edhe Taulant Xhaka. I habitshëm është fakti që në vend të klubeve europiane ka zgjedhur Amerikën.
Ai ka kaluar me sukses vizitën mjekësore dhe më pas ka firmosur kontratën 4-vjeçare. Ndryshe nga Bazeli dominues në Zvicër, Colorado Rapids është skuadër modeste në Major League Soccer. Në sezonin e kaluar zuri vendin e dhjetë në Konferencën e Perëndimit, pa arritur të kualifikohej në play-off.
Më parë, nga sulmuesit kuqezi, në SHBA ka luajtur Hamdi Salihi, me DC United.