Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përmes një statusi të publikuar në faqen e vet zyrtare në Facebook ka reaguar pas arrestimit të Emiljano Shullazit. Sipas Bashës, ‘nuk ka dyshim se arrestimi i partnerit kryesor të Edi Ramës ka ardhur nga presioni i partnerit tonë të vyer strategjik’, duke iu referuar këtu SHBA-ve.
“Partia Demokratike bashkë me qytetaret, me profesorët, me studentët, bashkë partnerët ndërkombëtare do ta sigurojnë votën në Shqipëri”, shprehet Basha.
Postimi i plotë i Bashës në FB
Pasi e bëri dekan të krimit, Edi Rama kërkoi ta emëronte Emiliano Shullazin edhe rektor të Universitetit të Tiranës.
Pasi i dha gjithë mbështetjen qeveritare në aferat e pista të trafikut e gjobëvënies, pasi i hapi doganat dhe i dha poste kyçe në polici, dhe çelësat e kafazit te Tahirit, Edi Rama kërkon ta caktoje Emiliano Shullazin edhe shef të botës akademike.
Sepse ky është modeli, ky është koncepti i Edi Rames për zgjedhjet. Ai nuk i njeh ato si garë, si konkurrence, por vetëm si instrument për të kapur e mbajtur pushtetin. Ndaj sa herë ka zgjedhje, ai nxjerr në skenë një person që e ka komisioner, numërues, vezhgues, KQZ, që është Shullazi. Me Emiliano Shullazin e sojin e tij u fut në zgjedhjet e 2013. Po ashtu në zgjedhjet e 2015. Referendumin në partinë e tij e bëri me Shullazët. Tani dhe zgjedhjet ne Universitet. I erren sytë nga vota, se vota është e kundërta e tij. Nuk duron dot zgjedhje, alternative, platforma. Thirrja që i bëri Shullazit për të kapur Universitetin është ndoshta më e renda deri sot. Por nuk do t’ia dalë. Vota është zullumi që ju zë fytin tërë oligarkëve kur njësoj si ky fusin duart thellë në zgjedhje. Nuk ka dyshim se arrestimi i partnerit kryesor të Edi Ramës ka ardhur nga presioni i partnerit tonë të vyer strategjik.
Partia Demokratike bashkë me qytetaret, me profesorët, me studentët, bashkë partnerët ndërkombëtare do ta sigurojnë votën në Shqipëri. Vota e lire eshte fundi i ologarkise se lidhur me krimin, fundi i krizes Rama per Shqiperine.