Basha pret Pacollin: Mbështesim bashkimin doganor dhe interesin kombëtar

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti në takim zv/kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Kosovës Behxhet Pacolli, i cili ndodhet në Tiranë në një vizitë dy ditore.

Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të PD, Basha siguroi Pacollin se Partia Demokratike do të jetë në mbështetje dhe në bashkëpunim të plotë me qeverinë e re të Kosovës.

Më pas Basha bëri një panoramë të zhvillimeve politike në Shqipëri, ku vuri theksin te nevoja jetike për stabilitetin dhe të ardhmen europiane të vendit, ku me rëndësi kyçe janë zgjedhjet e lira e të ndershme.

Basha theksoi se për Partinë Demokratike, integrimi europian dhe interesi kombëtar do të jenë shtyllat kryesore të çdo qëndrimi të PD-së.

Gjithashtu kryetari i PD, Basha u shpreh se mbështet dhe nxit integrim sa më të thellë mes Shqipërisë dhe Kosovës, në këtë kuadër përshëndet vullnetin për bashkim doganor, por theksoi se kjo bëhet me një angazhim të thellë e të plotë dhe jo sipërfaqësor.

Në fund të takimit me Pacollin, lideri demokrat theksoi se PD do të mbështesë me çdo kapacitet diplomacinë e Kosovës me sfidat e saj ndërkombëtare të anëtarësimit në organizmat ndërkombëtarë. ​

Gjatë vizitës në Tiranë, Pacolli ka takuar Metën, Ramën, Bushatin, Bashën, por edhe ish-kryeministrin Berisha.

a.ç

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU